Komisioni i reformës zgjedhore ka rënë dakord që administrata zgjedhore të mos zgjidhet nga politika si dhe të ketë një riformatim të KQZ. Por gjithashtu PS vijon të jetë në pritje të propozimeve të PD për adresimin e rekomandimeve të ODIHR për reformën zgjedhore. Propozimet për ndryshimin e sistemit gati deri në fund të Nëntorit

Dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari bien dakord me propozimet e ekspertëve të komisionit të Reformës Zgjedhore për depolitizimin e administratës. Por socialisti Damian Gjiknuri nuk kërkon të nxitojë dhe e la të hapur mundësinë për ndryshime nëse do të ketë propozime të tjera nga PD dhe aleatët e saj.

Gjiknuri: Nëse flasim për depolitizim do të thotë që nuk ka pjesëmarrës të partive politike në komisione. Nëse do të zgjedhim një skemë miks, kjo mbetet për tu parë, është çështje kompromisi politik brenda dhe jashtë komisionit. Nëse ka një marrëveshje që nëse një pjesë e propozimeve të PD do të diskutohen në komision dhe PD do të jetë dakord që ato propozime të merren parasysh nga komisioni kjo do të ishte ngjarje e mirë për Shqipërinë. 

Përzgjedhja e nëpunësve civil për komisionet zgjedhore, sipas Rudian Hajdarit do të ketë nevojë për ndryshimin e statusit të nëpunësit civil.

Hajdari: Nëse nuk ndryshohet statusi i nëpunësit civil kjo skemë që kanë propozuar ekspertët nuk mund të funksionojë.

Komisioni është dakordësuar që të ketë një riformatim të KQZ, ku në krye të administrimi zgjedhor do të jetë komisioneri shtetëror, ndërsa do të ketë Komision Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve. Ndërkohë propozimet për ndryshimin e sistemit pritet të mbërrijnë në komision brenda nëntorit.

/Ora News.tv/