Zbulimi amerikan: Kina, Rusia, kërcënimet më të mëdha ndaj sigurisë globale

Zbulimi amerikan: Kina, Rusia, kërcënimet më të mëdha

Shefat e agjencive amerikane të zbulimit kanë paralajmëruar për një numër kërcënimesh ndaj sigurisë në të gjithë botën me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara. 

Në dëshminë para Komisionit të Senatit për Zbulimin të martën drejtuesit e agjencive amerikane të zbulimit thanë se Koreja e Veriut nuk ka gjasa të heqë dorë plotësisht nga programi i saj bërthamor dhe Irani teknikisht po zbaton marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Këto konkluzione janë në kundërshtim me parimet kyçe të politikës së jashtme të presidentit Donald Trump. 

Korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman njofton nga Senati, ku ligjvënësit e të dyja partive u njohën me paralajmërimet e agjencive të zbulimit mbi kërcënimet ndaj sigurisë në shkallë botërore.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar të Amerikës pasqyroi në mënyrë të qartë sfidat e sigurisë në mbarë globin, duke i quajtur ato një "përzierje toksike".

"Shkalla dhe fushëveprimi i kërcënimeve të ndryshme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara dhe interesat tona të menjëhershme në mbarë botën ka gjasa të intensifikohen këtë vit. Është gjithnjë e më sfiduese të përcaktosh se cilat kërcënime janë me rëndësi të madhe", tha Dan Coats, Drejtor i Zbulimit Kombëtar.

Në krye të listës janë Kina dhe Rusia.

"Veprimet e Kinës pasqyrojnë një strategji afatgjate për të arritur epërsi globale. Kremlini po rrit fushatën e tij për të përçarë institucionet perëndimore politike dhe të sigurisë dhe për të minuar rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore", tha ai.

Senatorët shohin një kërcënim të kombinuar.

"Nëse këto dy vende fillojnë të punojnë së bashku në mënyrë sistematike, atëherë ky mund të jetë një problem i madh për ne", tha senatori Angus King.

Duke marrë parasysh përgatitjet e Presidentit Donald Trump për një takim tjetër me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, senatorët donin të dinin më shumë mbi angazhimin e Phenianit për të hequr dorë nga programi bërthamor.

"Kim Jong Un vazhdon të ketë aftësi të konsiderueshme ushtarake. Shtatëdhjetë për qind e forcave të tij janë të doslokuara përgjatë zonës së çmilitarizuar. Pra, aftësitë dhe kërcënimet që ekzistonin atje një vit më parë vazhdojnë të jenë të pranishme", tha Gjenerali Lejtnant Robert Ashley, Drejtor i Agjencisë së Zbulimit në Departamentin e Mbrojtjes.

Në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin, që Presidenti Trump e ka quajtur të dëmshme dhe nga e cila ai tërhoq, Drejtorja e CIA-s, Gina Haspel tha se ajo po zbatohet.

"Teknikisht, ata po e zbatojnë atë. Por ne kemi parë zyrtarët iranianë duke debatuar mbi dështimet për të realizuar përfitimet ekonomike që ata shpresonin se do të rezultonin nga zbatimi i marrëveshjes bërthamore".

Drejtorja e CIA-s, Gina Haspel ofroi një pasqyrë të komplikuar të Shtetit Islamik në Siri, ndërsa Presidenti Trump në dhjetor të vitit të kaluar njoftoi tërheqjen e forcave amerikane nga ky vend.

"Ata janë ende të rrezikshëm dhe ata janë grupi më i madh terrorist suni, dhe ata ende komandojnë mijëra luftëtarë në Irak dhe Siri".

Në lidhje me luftën e vazhdueshme për pushtet në Venezuelë, ku Uashingtoni po mbështet opozitën kundër udhëheqësit socialist të vendit, senatori republikan Marco Rubio shprehu sheqetësimin e tij për këtë çështje.

"A nuk është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që regjimi i Nikolla Maduros të bie dhe të zëvendësohet nga një qeveri demokratike dhe më përgjegjëse?"

"Është një situatë shumë fluide që unë mendoj, shpresoj, do të zgjidhet me sukses me mbështetjen e popullit venezuelian", u përgjigj drejtori i Zbulimit Kombëtar, Dan Coats.

Ndërsa, senatori King paralajmëroi kundër një angazhimi të Amerikës për ndryshimin e regjimit në Venezuelë, që ai e përshkroi si një veprim që mund të sjellë pasoja negative./VOA/

EMISIONET