Zaev paralajmëron dorëheqjen, samiti i Berlinit asnjë garanci për çeljen e negociatave

Zaev paralajmëron dorëheqjen, samiti i Berlinit asnjë garanci

Samiti i Berlinit, i thirrur të hënën (29 prill 2019) nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk dha garanci për çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Mësohet se gjatë samitit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka paralajmëruar dorëheqjen nëse ndaj vendit të tij nuk çelen negociatat e anëtarësimit.

Gjatë kohës që udhëheqësit ishin mbledhur për t’ju dhënë një nxitje të re marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit, sidomos rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, burime të CDU/CSU-së i thanë DW se vendimi për hapjen e negociatave për vendet kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të merret në shtator.

Kjo vjen për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion të vendeve anëtare për të shqyrtuar raportin e Komisionit, që del në fund të majit dhe siç është paralajmëruar pritet të ndezë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave.

Por zgjedhjet europiane e bëjnë të pamundur diskutimin e çështjes së zgjerimit dhe sidomos Parisi zyrtar kërkon që nga një gjë e tillë të mos përfitojnë partitë populiste.

Deri tani vetëm komsioneri për zgjerimin Johanes Hahn është shprehur me vendosmëri se të dy vendet, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, meritojnë hapjen e negociatave.

 Mungesa e qartësisë për zgjerimin në samitin e Berlinit, u vu re edhe nga mediat ndërkombëtare, pavarësisht se temë kryesore ishte rinisja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. 

"Financial Times" botoi artikullin me titull: "Franca dhe Gjermania dush të ftohtë aspiratave të Ballkanit për integrim të shpejtë në BE."

EMISIONET