Qeveria e re britanike pritet të ndërmarrë një fushatë reklamuese për planet mbi shkëputjen e vendit pa dakordësinë e Bashkimit Europian.

Sipas të përditshmes angleze, "The Telegraph", fushata do i kushtojë qytetarëve mbi 120 milionë dollarë deri në datën 31 tetor 2019.

Duke cituar burime brenda kryeministrisë, gazeta shton se për të çuar mesazhin te çdo familje dhe biznes në vend do të përdoren mjete të ndryshme informimi, si fletushkat, tabelat në rrugë, radiot dhe televizionet.

Disa nga informacionet do të kenë të bëjnë me udhëtimet jashtë shtetit, importet, apo furnizimin me medikamente dhe ushqime kur të ndodhë Brexit.

Fushata propagandistike e frymëzuar nga kryeministri i ri, Boris Xhonson, do të ishte më e madhja që zhvillohet që prej Luftës së Dytë Botërore.

Kritikët nuk kanë vonuar ta etiketojnë atë "një shpërdorim të turpshëm të parave publike". 

Por me marrjen e detyrës më 24 korrik, kreu i qeverisë, Xhonson, është zotuar ta nxjerrë vendin nga BE-ja me çdo kusht.

Ai i ka bërë të ditur Brukselit se nuk ka ndër mend të takojë asnjë lider europian për Brexit për aq kohë sa ata nuk janë ta gatshëm të rinegociojnë çështjen e rikthimit të kufijve fizikë mes Britanisë dhe Irlandës, siç parashikon marrëveshja aktuale.

Qëndrimet kategorike të kryeministrit dhe frika e një Brexit pa dakordësi, ndërkohë, të hënën u reflektuan edhe në bursa, ku paundi britanik zbriti në pikën më të ulët që nga viti 2017.

/Ora News.tv/