Xhafaj kundër "rregullores së PS" për Kuvendin: Fokusohuni te deputetët, janë shndërruar në kartona

Xhafaj kundër "rregullores së PS" për Kuvendin:

Rregullorja e re e parlamentit është votuar pa konsensus në parim në Komisionin e Ligjeve. Kjo për opozitën është shenjë që maxhoranca kërkon të rikthejë imunitetin e deputetëve ndonëse socialistët janë shprehur se nuk do ta miratojnë pa dakordësinë e të gjitha palëve. Ajo që duhet prekur sipas Fatmir Xhafajt, është roli i deputetëve në procesin legjislativ pasi ndryshimet e pas 2008 e kanë kthyer rolin e të zgjedhurit vetëm në karton.

Duke refuzuar kërkesën e opozitës për ta kaluar procesin e ndryshimit të rregullores tek Këshilli i Mandateve të Kuvendit, deputetët e maxhorancën votuan në parim ndryshimet e reja të propozuara të rregullores së Kuvendit.

Vullneti për konsensus i shumicës sipas deputetit Enkelejd Alibeaj nuk ekziston. Kjo sepse ata nuk pranuan ta diskutonin te Këshilli i Mandateve që ka barazi votash me palëve, por preferuan Komisionin e Ligjeve meqë kanë shumicën e votave.

Qëllimi i kësaj, sipas Alibeaj, është të mbrojnë deputetët nga ndjekja penale.

Alibeaj: Miratimi i rregullores bëhet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Kërkoni ta ndryshoni rregulloren në Komision të Ligjeve se keni shumicën e votave. Po kërkoni të ndryshoni rregulloren duke shkelur rregulloren.

Strazimiri: Nuk ndryshohet rregullorja në Komisionin e Ligjeve. Rregullorja ndryshohet vetëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.

Në fjalën e tij të parë në Komision pasi la detyrën e Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj kërkoi që parlamenti të shohë më mirë rolin e deputetit.

Me ndryshimet që janë bërë, deputetët sipas Xhafajt janë shndërruar në kartona dhe kjo është pjesa që duhet të korrigjohet.

Xhafaj: Nuk është pozitive që nga 2005 deri 2017 rregullorja është ndryshuar 8 herë. E vlerësoj punën e Hysit për materialin e paraqitur për rregulloren. Bie dakord që të jetë proces konsensual. Propozimet e sjella duhet të sjellin një projekt të qëndrueshëm. Rregullorja dhe ndryshimet nuk fokusohen te roli i deputetëve. Ajo që do doja të shihja në këto ndryshime do ishte roli i deputetit në procesin ligjvënës dhe në raport me zgjedhësin.

Ndryshimet e 2008 e kanë zbehur rolin e deputetit. Janë shndërruar më shumë në kartona sesa persona me identitet. Kjo është gjeja që duhet të na shqetësoje më shumë. Duhet të rregullojmë disa nga ato ndryshime që koha tregoi se ishin të dëmshme. Funksioni kontrollues i legjislativit ndaj ekzekutivit është i dobët dhe duhet parë me vëmendje. E rëndësishme është përmbajtja e projektit dhe jo ku shqyrtohet.

Megjithatë edhe pse e votuan, deputetët socialistë janë shprehur se nuk do ta kalojnë në parlament pa konsensusin e opozitës.

Çfarë propozon PS?

PS ka propozuar ndryshimin e rregullores duke vendosur kushte ndaj prokurorisë. Me rishikimin e nenit 118 hetimi ose arrestimi i deputetit nuk mund të kërkohet pa paraqitur prova bindëse para Keshillit të Legjislacionit dhe Mandateve në Kuvend. Debat ky që u zhvillua dhe në rastin Sajmir Tahiri.

Një tjetër ndryshim favorizon bojkotet e partive, pasi sipas rregullores së re edhe bojkoti konsiderohet si veprimtari parlamentare.

Përsa i përket financimeve , PS kërkon një tjetër formulë shpërndarje të fondeve.

EMISIONET