Vuçiq takon Pompeon: Të hiqen tarifat

Vuçiq takon Pompeon: Të hiqen tarifat

Serbia i ka kërkuar administratës amerikane të rritë presionin mbi Kosovën për heqjen e tarifave të njëanshme të vendosura nëntorin e kaluar.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, deklaroi të martën (20 gusht) pas takimit në Nju-Jork me kryediplomatin amerikan, Majk Pompeo, se ky hap do çonte menjëherë në rihapjen e dialogut me Prishtinën.

Vuçiq: "Nuk ka dyshim që kemi mbështetjen amerikane sepse edhe ata e kuptojnë se nga marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit, varet e ardhmja e rajonit. Serbia është e gatshme, pavarësisht nga politikat e brendshme në Serbi, që në çdo çast të fillojë bisedime të hapura politike me shqiptarët," u shpreh kryeshtetari për programin në gjuhën serbe të "Zërit të Amerikës".

Nga ana e tij, zyrtari i lartë amerikan, Pompeo, theksoi se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të forcojë qëndrueshmërinë dhe përparimin e Serbisë, Ballkanit Perëndimor dhe komunitetit transatlantik”.

Në një komunikatë për shtyp, Departamenti i Shtetit nënvizoi nevojën e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që garanton njohjen reciproke, por që kjo të realizohet, duhet hequr dorë nga provokimet e dyanshme, siç janë tarifat apo fushatat agresive për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës.

Prishtina zyrtare deri tani i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare, ndërsa pritet reagimi i ekzekutivit të ri që do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të vjeshtës.

EMISIONET