Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se ai mund të deklasifikojë dhe publikojë një pjesë të videos të filmuar të shtunën gjatë operacionit të forcave speciale në Siri, ku u vra kreu i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi.

Videoja besohet se përfshin pamje ajrore dhe ndoshta pamje nga kamerat e montuara në trupin e ushtarëve që sulmuan kompleksin e al-Bagdadit.

"Do të mendojmë për këtë, mund ta publikojmë,” u tha Presidenti Trump gazetarëve para se të nisej për në Çikago sot në mëngjes.

“Mund të shkëpusim pjesë të caktuara dhe t’i publikojmë,” tha ai.

Nëse publikohet, videoja do të duhet që së pari të pastrohet, për t’u siguruar se aty nuk tregohen taktikat e përdorura nga forcat amerikane, tha një zyrtar.

Të dielën, Presidenti Trump e përshkroi me hollësi të mëdha bastisjen e kompleksit, duke thënë se udhëheqësi i Shtetit Islamik shpërtheu një jelek vetëvrasës në çastin kur iu afruan forcat amerikane./Voa

/Ora News.tv/