Një makinë në pronësi të bashkisë së Vlorës, por që përdorej nga kryebashkiaku Dritan Leli, u dogj në orët e para të mëngjesit në një ngjarje që paraprakisht dyshohet zjarrvënie e qëllimshme. Djegia e makinave në qytetin bregdetar gjithmonë është lexuar si paralajmërim për pronarin, por dërguesit e këtij mesazhi mbeten të panjohur.

Makina e kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, u dogj me zjarrvënie të qëllimshme në qytetin bregdetar. Motivet mbeten ende të paqarta, por djegia e mjeteve në Vlorë  gjithmonë është lexuar si presion ose paralajmërim.

Automjeti tip "Range Rover" me targa AA 525 MP në pronësi të bashkisë së Vlorës dhe që përdorej nga kryetari i Bashkisë ishte e parkuar pranë pallatit ku banonte shoferi i kryebashkiakut në kohën kur i vunë flakën.

Sipas banorëve të lagjes “Lef Sallata” ngjarja u regjistrua rreth orës 04:26 minuta të mëngjesit të së enjtes, por ata nuk kishin dëgjuar asgjë shqetësuese më herët.

Banori: "Kur dola nga shtëpia makinat ishin në flakë. U dogjën dy makina. Ndodhi në 04:30 të mëngjesit. Nuk dëgjuam zhurma. Rri shoferi tek pallati tjetër. Dola për të parë makinën që u dogj, se aty është vendi ku le makinën djali im. Por makina djalit ishte parkuar në vend tjetër. Flaka ishte në majë. Zhurmë nuk dëgjuam se ishte vonë."

Veç makinës së kryebashkiakut të Vlorës që dyshohet se ishte objektivi i zjarrvënies, flakët kanë përfshirë edhe një makinë tjetër të parkuar aty pranë.

Përmasat e zjarrit kanë qenë të mëdha, dhe kjo banore e pallatit thotë se i hynë deri në shtëpi.

Mine Sejfullari: "Nuk është parkim për të lënë makina aty. Flaka më erdhi brenda. Më dëmtoi grilat, tendat të gjitha. Kush do mi paguajë mua këto? Nuk dëgjova gjë, vetëm flakën pamë."

Mjetet e djegura ishin larguar nga vendngjarja që në orët e para të mëngjesit.

Burimet thanë se janë dërguar për ekspertizë të detajuar.

Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për rastin ka marrë dëshmitë e banorëve, e drejtuesit të makinës ndërsa megjithë dyshimet për një zjarrvënie të qëllimshme zyrtarisht do të flasin pas pëfundimit të hetimit.

Në zonë ndodhen disa kamera sigurie, pamjet të cilave janë sekuestruar në funksion të hetimit.

Vetë kryebashkiaku i Vlorës ende nuk ka reaguar për këtë ngjarje.

Ky është rasti i dytë i regjistruar në Vlorë, ku digjet një automjet që përdoret nga kryetari i bashkisë së Vlorës.

Në 24 janar të vitit 2012 është djegur edhe automjeti i kryetarit të bashkisë në atë kohë, Shpëtim Gjika, pranë banesës së tij.

Edhe atëherë anjëherë nuk u përcaktua nëse ishte zjarrvënie e qëllimshme, apo thjesht një ngjarje aksidentale.

/Ora News.tv/