Vlahutin: Absurde, u legalizua dhe deti. BE nuk negocion të drejtën e pronës

Zgjidhja e të drejtës së pronësisë do të jetë një nga pikat që do të ketë monitorim të rreptë të Bashkimi Evropian në Shqipëri. Ambasadorja Romana Vlahutin i ka konsideruar absurde rastet e ndryshimeve të zërave kadastrale në bregdet. Nga ana e saj ministrja, Etilda Gjonaj, është shprehur se ka nisur verifikimi i të gjithë titujve të marrjes së tokës në përdorim nga ish-komisionet vendore.

Ambasadorja e delegacionit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka kërkuar prej qeverisë shqiptare një angazhim edhe më konkret në zgjidhjen e të drejtës mbi pronësisë.

Në takimin e organizuar me ekspertët ndërkombëtare dhe me grupe interesi në Shqipëri, ajo nënvizoi se zgjidhja e problemeve të pronësisë është një çështje e panegociueshme.

Duke folur me tone të ashpra ajo kërkoi ndëshkimin e  atyre që sipas saj për një çerek shekulli kanë abuzuar me pronat.

Vlahutin: BE nuk negocion me këtë të drejtë themelore të njeriut. Në Shqipëri ka njerëz që kanë legalizuar plazhet ranore dhe detin si tokë bujqësore,  gjithashtu korrupsioni dhe vonesat në gjykata mbi këto çështje kanë shkaktuar konflikte në sbhoqëri. Është urgjente  që praktikat abuzive të së shkuarës të ndalen dhe ndaj atyre që kanë përfituar tokat e të tjerëve të vendosen penalitete. Shoqëria shqiptare ka nevojë dhe e meriton të mbyllë këtë kapitull të dhimbshëm.

Ministrja, Etilda Gjonaj, tha se zgjidhja e problemeve të pronësisë përbën një sfidë për qeverinë shqiptare. Ndërsa në verifikim janë dhe aktet e marrjes së tokave në përdorim nga komisionet vendore.

Etilda Gjonaj: Nga procesi administrativ i verifikimit të ligjshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, nga komisionet vendore për këtë qëllim të ngritur pranë perfektit deri në shkurt të 2018 rezultojnë 2190 AMTP, të dhëna në mënyrë të paligjshme për një sipërfaqe prej rreth 1694 ha.

Me tone të ashpra ndaj shtetit shqiptar, folen shoqatat e pronarëve që kërkuan zgjidhje të menjëhershme.

"Nuk besoj që ashtu sic është tallur me shqiptarët qeveria shqiptare, të tallet edhe Bashkimi Evropian nëpërmjet njerëzve që na dërguan këtu. Se nuk humbi Hollanda për specialistë të pavarur, por duhet ti bjerë nëpërmjet dorës së gjatë të kryeministrit të sjellë Ilir Pecin këtu. Nuk është nderi i Evropës të na sjellë të tillë njerëz këtu. Ne nuk pranojmë të ulemi  për diskutim në atë tavolinë, vetëm kur të kemi përfaqësues të shtetit."

"Më vjen që nuk është ngritur asnjëherë një gjë e tillë, nuk është ngritur reformë nga përfaqësues i Bashkimit Evropian në Shqipëri, që ky duhej të ndalej absolutisht legalizimi falas për efekte politike. E dyta, duhet me ligjin 133 ti jepet prioriteti absolut i ish-pronarëve për kompensimin fizik aktual të tokave, jo pasi tokat të jenë zënë prej biznesmenëve dhe mafias, e cila sundon këtë vend."

Në tryezën për të drejtën e pronësisë të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Euralius, avokatë dhe gjyqtarë nga vende të ndryshme te Europës, te cilet ndan eksperiencat dhe propozuan ide se si ky problem kompleks disa vjeçar mund të marrë zgjidhje.

 Prioriteti 

"Ju kujtoj se në raportin e fundit të KE-së për Shqipërinë, për  kapitullin e 23, që ka të bëjë me kapitullin e drejtësisë, dhe të drejtave themelore , Shqipëria duhet ti kushtojë rëndësi me prioritet kthimin, kompensimin dhe regjistrimin e pronës."

Ligjet qe shkaterruan te drejten e prones

Çeshtja e pronës dhe kalimi i saj tek i zoti është një çështje mjaft komplekse e cila u bë dhe më komplekse me ligje si ai i 7501 dhe ai i legalizimit i cili më shumë i dha të drejta zabtuesit dhe abuzuesit të pronave se vetë pronarëve të vërtetë.

Romana Vlahutin: "Në Shqipëri çdo njeri më ka thënë se ky është një problem më kompleks se kudo tjetër .  Mund të jetë e tillë duke nisur me marrjen e pronës private gjatë komunizmit, ndjekur më pas nga një periudhë shumë e gjatë tranzicioni dhe shumë abuzimeve gjatë dekadave. Duke përfshirë këtu, fatkeqësisht, dhe abuzimet për qëllime politike e elektorale. Gjithashtu kur njerëzit me fjalë u ftuan të zaptojnë tokat. Mjafton të përmendin disa nga ligjet që krijuan këtë kaos, ndoshta ishin propozime të mira në fillim por abuzimet provuan të kundërtën. Përmend ligjin e famshëm 7501, ligjin e legalizimeve nga 2006 dhe ka shumë të tjerë që fatkeqësisht që i japin më shumë të drejtë atyre që abuzuan sesa atyre që u abuzuan. Shto dhe korrupsionin në gjykata, në institucione të ndryshme dhe në mënyrë të vecantë në nivel lokal."

Sa shume letra

Romana Vlahutin: "Kemi marrë shumë letra ankesa nga qytetarë dhe mund të thems e 97% e tyre janë letra që kishin të bënim me çështjen e pronës. Nëse do i mblidhja në kuti, ato kuti do të mbushnin këtë dhomë. Sidoqoftë ka një zgjidhje për çdo problem. Shqipëria ka nisur një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi që do të sjellë stabilitet dhe besueshmëri sistemit të drejtësisë që do të shërbejë për të mbrojtur të drejtat themelore, përfshirë dhe të drejtën e pronës.

Është urgjente që praktikat abuzive të së shkuarës duhen të ndalen. Dhe ndërtimet pa leje në bregdet nuk duhet të legalizohen më. Të vendosen gjoba ndaj atyre që kanë përfituar nga toka e të tjerëve

Shqipëria mundet dhe duhet zgjidhje

Romana Vlahutin: "Ne të gjithë jemi shumë të ndërgjegjshëm që e drejta e pronës është shumë sfiduese, por dhe vende të tjera kanë probleme të tilla, dhe Shqipëria mund ta gjejë gjithashtu. Kjo është arsye pse vendosëm që Euralius të shikojë këtë problem nga ana legjislative si dhe të mbledhim eksperienca nga ekspertë të ndryshëm të Europës  që kanë kaluar përmes këtij procesi. Zgjidhjet janë principet janë kryesore, ajo çfarë duhet është dialog dhe një marrëveshje me të gjithë grupet e interesit për të gjetur një të ardhme të qëndrueshme dhe të pranueshme.

Praktika europiane ka treguar se kompensimi 100% të pronarëve për pronat e marra nga regjimi komunist është i pamundur, dhe duhet një kompromis. Një tranzicion të tillë kaq të gjatë dhe të vështirë nuk do i jepet fund pa një dialog.


vijon

EMISIONET