Vizita e Ramës në Kosovë, Çipa: Kryeministri paraqitet me autoritetin e ''dalzotit''

Vizita e Ramës në Kosovë, Çipa: Kryeministri paraqitet me

Kryeministri Edi Rama nisi sot (29 qershor) vizitën e tij dy-ditore ku do të takojë liderët politikë në vend.

Kjo vizitë zhvillohet në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, pas ngritjes nga Prokurori Special në Hagë të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në një intervistë për ''RTV Ora'', analisti Aleksandër Çipa shprehet se kjo vizitë e kryeministrit mbart dy aspekte. E para është ai i protagonizmit politiko-diplomatik dhe e dyta Rama kërkon të paraqitet me autoritetin e ''dalzotit''. Sipas Çipës, Kosova ka nevojë për solidaritet dhe jo për autoritet.

Aleksandër Çipa: ''Është një vizitë e cila mbart dy aspekte. Aspekti i parë është i njohur, është ai i protagonizmit politiko-diplomatik dhe në një lloj pikëpamje si dalzotësi që vetë kryeministri kërkon të ketë. Mendoj që ka nevojë për solidaritet dhe jo për një autoritet, sepse në një lloj pikëpamje sipas të gjitha leximeve, një lloj autoriteti i tillë mund të shkaktojë një kosto diplomatike dhe politike, pse jo dhe institucionale. Ndërsa për solidaritetin padyshim po, duhet ta ketë. Shqipëria zyrtare duhet të ketë një platformë të ofertimit të avokatisë për këtë proces që po hap Prokuroria dhe Gjykata Speciale ndaj figurave dhe emrave më eminentë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe që praktikisht do të cënojë dhe do të prekë imazhin juridik dhe politik të lidershipit aktual të Kosovës.''

Ndërkohë, në deklaratën e tij për mediat mbrëmjen e sotme (29 qershor), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se do të japë dorëheqjen nëse konfirmohen aktakuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.

Intervistoi në studio Beti Njuma, përgatiti për online Renato Çaushi.

EMISIONET