Policia e Kavajës ka vënë në pranga efektivin e policisë së burgjeve, Bledar Toçi, lidhur me vrasjen e shtetasit Dritan Haxholli.

Ai akuzohet për veprën penale "vrasje me dashje" dhe pse policia thotë se Toçi ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ngjarja ndodhi në lagjen numër 2 të qytetit pas mesnate në banesën e M.Q me të cilën viktima kishte lidhje intime.

"Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 2, në Kavajë, ku pas një konflikti në banesën e shtetases M. Q., mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi D. H. dhe i plagosur shtetasi B. T., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. T., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 2, në Kavajë, me detyrë Shef i Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit. Shtetasi B.T., pasi është konfliktuar me shtetasin D. H., ky i fundit për motive xhelozie ka qëlluar me armë duke e plagosur shtetasin B. T. Në kushtet e vetëmbrojtjes shtetasi B. T. ka qëlluar për vdekje me armë zjarri tip pistolete shtetasin D. H. Arrestimi i shtetasit B.T., për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Viktima Haxholli mësohet se ka qenë i dënuar më parë për krime kundër personit dhe për lëndë narkotike.

Policia gjithashtu ka arrestuar dhe vëllain e efektivit të burgjeve, shtetasin  B. T., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit të banesës në lagjen nr. 2, në Kavajë iu gjetën dhe u sekuestruan me cilesinë e provës materiale një sasi e dyshuar lendë kokaine e ndarë në 7 doza që i përkisnin 27-vjeçarit.

Arrestimi i tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale do të dërgohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme.

/Ora News.tv/