Roma futet në zonën Champions League. Kryeqytetasit morën fitoren e tretë radhazi, duke marrë maksimumin përballë Napolit. Fitorja 2-1 kundër të besuarve të Carlo Ancelottit i dhanë vendin e tretë verdhekuqve, që tashmë numërojnë 22 pikë.

Pas 19 minutash lojë, Zaniolo i dha avantazhin Romës. Mesfushori lëvizi mirë në hyrje të zonës, për të shënuar më pas në mënyrë spektakolare. Avantazhi i dha zemër vendasve, që në "Olimpico" kishin një marsh më shumë. Pak minuta më vonë, konkretisht në të 26, Roma fitoi një penallti, por Kolarov gaboi shënjestër, duke u ndalur nga Meret.

Kjo mjaftoi për të vendosur fatet e pjesës së parë, me fraksionin e dytë që kishte të njëjtën histori. Sërish një penallti e fituar nga Roma dhe këtë herë ishte Veretout ai që u tregua i saktë. Francezit iu kuptua krahu, me Meret që edhe e devijoi, por pa mundur t'i ndryshojë rrugën drejt rrjetës.

Goli i Arkadiusz Milik në minutën e 72-të shtangu Romën dhe i dha shpresa Napolit. Por vetëm kaq. Kryeqytetasit marrin 3 pikët që e ngjisin në vendin e tretë me 22 pikë, katër më shumë se Napoli i vendit të 7-të.


/Ora News.tv/