Janë luajtur një pjesë e mirë e javës së pestë të raundit kualifikues të Euro 2020, ku kanë prodhuar rezultate mjaft interesante. Spanja ka "kopjuar" Italinë, teksa ka regjistruar fitoren e 5-të në grup, duke iu afruar akoma dhe më shumë raundit final të Europianit.

Iberikët mposhtën me rezultatin e ngushtë, 2-1 Rumaninë në transfertë. Sergio Ramos kaloi në avantazh "La Roja", teksa Alcacer vendosi në kasafortë 3 pikët. Gjithsesi, Rumania reagoi, por goli i Andone shërbeu për statistikë. Pas kësaj fitoreje, të cilën Spanja e mori me 10 lojtarë pas largimit më karton të kuq të Llorente, Spanja mban vendin e parë me 15 pikë, i distancuar me 8 pikë nga Rumania dhe 5 nga Suedia e vendit të dytë.

Fitore tenistike arriti Danimarka, që nuk kurseu Gjibraltarin, duke fituar me shifrat 6-0. Dopieta e Eriksen e Gytkjaer dhe golat e Skov dhe Delaney i mjaftuan danezëve për të marrë 3 pikët. Kjo fitore i ngjit në vendin e  dytë në grupin D me 8 pikë, tre më pak se Irlanda, që barazoi 1-1 në shtëpi ndaj Zvicrës. Rezultat i thellë dhe në Bosnje me vendasit që mposhtën 5-0 Liechtenstein. Gojak ishte heroi i takimit me dopietë, ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Duljevic, Dzeko dhe Visca.

Fitore komode dhe për Suedinë, e cila mposhti Ishujt Faraoe me "poker" golash, 4-0. Isak shënoi dopietë ndërsa Lindelof dhe Quaison kompletuan fitoren që në pjesën e parë. Në takimet e tjera, Finlanda mundi 1-0 Greqinë, Norvegjia kaloi pastër 2-0 Maltën, teksa takimi mes Izraelit dhe Maqedonisë së Veriut u mbyll në barazim 1-1.




/Ora News.tv/