Spektakël dhe plot 6 gola dhuroi kryesfida në “Parc des Princes” mes Paris Saint Germain dhe Monacos, por në fund të dy skuadrat ndanë nga një pikë, duke mbyllur përballjen në barazim 3-3.

Neymar kaloi parizienët në avantazh që në minutën e tretë, megjithatë reagimi i Monacos ishte i jashtëzakonshëm, pasi brenda 10 minutash shënoi dy herë me Gelson Martins dhe Ben Yadder, dhe përmbysi rezultatin. Megjithatë pjesa e parë do të shkonte për vendasit, që barazuan fillimisht me anë të një autogoli dhe më pas gjetën golin e tretë sërish me anë të brazilianit Neymar, këtë herë nga pika e penalltive.

Në pjesën e dytë skuadra nga Principata e Francës arriti të gjejë golin e barazimit me anë të Slimanit dhe të marrë një pikë nga transferta kryeqytetase. PSG mbetet në krye edhe pas këtij barazimi, por tani vetëm 5 pikë më tepër se Marseille që po bën një sezon fantastik.

/Ora News.tv/