Dje filluan nga puna gjykatat e prokuroria dhe bashkë me to edhe gjithë sistemi i drejtësisë në vend, përfshi edhe vijimin e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Dhe ky është një lajm i mirë. Gjatë këtyre javëve, për shkak të pandemisë Covid-19, pakkush e ka pasur mendjen te drejtësia, kjo ndoshta për faktin se edhe kjo e fundit ishte në karantinë si të gjithë. Megjithatë, kanë ndodhur disa zhvillime, të cilat unë doja t’i ndaja me lexuesin. në këtë shkrim Shqipëria vijon të jetë vendi unik në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe ngritja e saj është futur në “freeze”, pasi pritet një opinion përfundimtar i Komisionit të Venecias, për të cilin do të flasim pak më poshtë.

Gjykata e Lartë duket se mund të fillojë nga pak të funksionojë teksa janë emëruar 3 anëtarët e saj të parë, të dekretuar nga Presidenti dhe të pakontestuar deri tani nga politika. Dy prej tyre i njoh mjaft mirë prej më shumë se 25 vjetësh dhe i urova pas dekretimit të Presidentit, pasi i kam vlerësuar dhe i vlerësoj për integritetin dhe formimin profesional. Mungojnë akoma edhe 16 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, që ajo të fillojë punën normalisht në mënyrë që mali i 35.000 dosjeve të fillojë të ulet. Për pjesën tjetër të sistemit, asgjë nuk ka ndryshuar. Sot, sistemi fillon të funksionojë njësoj. Gjyqtarët dhe prokurorët janë tërësisht në kaos, disa me sytë nga lista e vetingut dhe të tjerë nga KÇK. Qeveria u përpoq të bënte disa ligje me shpejtësi prej janarit, por që qartazi dukeshin se ishin të nxituara, dhe unë bie plotësisht dakord me një ish-koleg të PS-s, që ato ligje ishin të nxituara. Pra, nuk ka asnjë zhvillim, as për mirë e as për keq.

Por, ajo për të cilën u ula të shkruaj këtë fundjavë, ka të bëjë me dy vendime provizore të dy institucioneve shumë të rëndësishme për mua në lidhje me procesin e vetingut. Të dyja janë provizore. Njëri është vendimi i super-Gjykatës së Drejtësisë Europiane të BE-s, që pezulloi vetingun në Poloni (të ngjashëm me vetingun në Tiranë) dhe tjetri është një opinion (Draft) i Komisionit të Venecias për vetingun në Shqipëri, për të cilin shoqatat e gjyqtarëve kanë bërë thirrje që të mos ndryshohet nën ndikimin e vektorëve politikë. Por çfarë përmbajnë këto dy vendime provizore dhe sa efekt kanë për vetingun e Tiranës?

Qëllimi im në këtë shkrim është të bëj një analizë të këtyre dy vendimeve nga statusi i sektorit privat, në të cilin jam prej më shumë se 2 vjetësh, dhe nuk dua ta lodh lexuesin me retorikën nëse ka pasur të drejtë njëra forcë politike apo tjetra e kështu me radhë apo se kush e ka përgjegjësinë për situatën, në të cilën ndodhet etj., pasi kam bindjen se këtë mund ta bëjnë shumë më mirë ish-kolegët e mi, të cilët janë aktivë në politikë. Dhe ashtu siç e pranon KV në 2020, në paragrafin 38 të tij: “Është e kotë të kthehemi pas”.

VENDIMI I GJYKATËS SË DREJTËSISË SË BE (SUPER-GJYKATA)

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian ka urdhëruar Poloninë, një vend anëtar i BEs që të pezullojë menjëherë veprimtarinë e një trupe të zgjedhur nga Parlamenti, të ngjashme me strukturat e vetingut në Shqipëri, të cilat janë krijuar për të kryer hetime disiplinore ndaj gjyqtarëve polakë të të gjithë niveleve.

Në një vendim që mban datën 8 prill 2020, Gjykata e Luksemburgut, Super-Gjykata e Drejtësisë së BE-së ka konstatuar se zgjedhja e anëtarëve të Dhomës Disiplinore nga Parlamenti polak krijon dyshime të forta për pavarësinë dhe paanësinë e trupës që do të kryejë hetimin administrativ mbi gjyqtarët. Dhoma e Disiplinës funksion si Gjykatë e Shkallës së Parë për hetimet disiplinore ndaj gjyqtarëve supremë dhe si Gjykatë Apeli për hetimet administrative ndaj gjyqtarëve të niveleve më të ulëta- kanë raportuar mediat.

Sistemi i adoptuar në Poloni është thuajse i ngjashëm me strukturat me dy nivele të vetingut në Shqipëri, atje janë 15 e këtu janë 19 anëtarë.

Sipas ligjit polak, 15 anëtarët e trupës disiplinore përzgjidhen ekskluzivisht nga Parlamenti (njëlloj si ne). Por kjo përzgjedhje, sipas Gjykatës më të rëndësishme të BE-së, nuk duket se është në përputhje me parimin e ndarjes së pushteteve. Përfundimisht, Super-Gjykata Europiane ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të aktivitetit të Dhomës së Disiplinës (vetingut) derisa çështja të shqyrtohet në themel pranë saj.

Nuk ka asnjë dyshim se sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka probleme me korrupsionin dhe kalimi në një skaner i gjyqtarëve dhe prokurorëve ishte një masë që duhej ndërmarrë. Të njëjtën analizë duhet të kenë bërë edhe kolegët në Varshavë. Të thuash se Parlamenti ynë është më profesional se ai i Polonisë dhe e ka në gjak parimin e ndarjes së pushteteve dhe as nuk i shkon ndërmend kapja politike, do të thotë t’i bësh lexuesit për budallenj.

Natyrisht që Parlamenti polak kërkon që të luftojë korrupsionin në drejtësinë polake, ashtu siç edhe Parlamenti shqiptar kërkonte këtë gjë me 140 vota në 2016, por pikërisht çështjes së shumëdebatuar nga opozita në atë kohë në Shqipëri, për qëndrimin larg të politikës nga vetingu, përgjigjja erdhi negative edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese shqiptare e kohës (sot viktimë e vendimeve të veta). Por Super-Gjykata e Drejtësisë së BE nuk është Gjykata Kushtetuese shqiptare (për fat të mirë) dhe ata nuk kompleksohen nga propaganda se po pengojnë luftën ndaj korrupsionit në Poloni dhe janë kundër reformave në sistemet gjyqësore me korrupsion të përhapur. Ata (supergjyqtarët europiane) janë thjesht kundër këtyre modeleve qe bien ndesh me standardet.

Sot, në sektorin privat ku punoj, e kam shumë të qartë këtë. Dhe e kam akoma më të qartë pasi shoh se kush është votuar për të qenë në 19-shen e vetingut tonë.

Qasja e Gjykatës së Drejtësisë duket e qartë. Ata e shohin Komisionin e Vetingut në parim si “Gjykatë” për gjykatësit dhe prokurorët. Kështu është apo jo? Dhe në bazë të nenit 6 të Konventës Europiane, kjo “Gjykatë” duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme. Nëse kjo Gjykatë emërohet nga Parlamenti, qoftë dhe me konsensus, ajo Gjykatë nuk plotëson kushtet e ndarjes së pushteteve sepse emërohen nga politika. Pra, vendimi i Supergjykatës, përveçse super i bazuar është super racional. Nuk e di cili do jetë vendimi përfundimtar dhe çfarë sugjerimi do japin supergjykatësit europianë, por arsyet duken tërësisht racionalë dhe nuk lidhen fare se kush është në pushtet, është autoritar apo luajal, është tradicional apo ekzotik. SuperGjykata thotë: “Jo veting nga një trupë e zgjedhur nga Parlamenti”.

Pa folur pastaj për nivelin e atyre që ka zgjedhur Parlamenti polak me nivelin e atyre që ka zgjedhur Parlamenti ynë. Ku në 19 më shumë se gjysma ose kanë mbaruar me mesataren nën notën 7 Fakultetin, ose kanë falsifikuar dokumentacionin e tyre, ose nuk kanë paguar taksat për vete dhe mbi të gjitha asnjeri prej tyre nuk e ka kaluar vetingun për veten e tij.

Sikur Shqipëria të ishte në BE, vendimi i Gjykatës së Drejtësisë do ishte automatikisht i zbatueshëm, por ne nuk jemi dhe kjo është një çështje tjetër mbi efektet e këtij vendimi, për të cilin nuk duatë zgjatem sot edhe për faktin se ai është provizor. Gjykata, vendimet e së cilës kanë efekt për Shqipërinë, janë vendimet e Gjykatës së Strasburgut, për të cilën do të flasim më poshtë

Konkluzioni i këtij vendimi duhet lexuar qartë dhe thjeshtë: Gjykata e Drejtësisë së BE është pro luftës kundër korrupsionit në Gjyqësor, por Vetingun nuk duhet ta bëjë një trupë që zgjidhet nga parlamenti, cilido që të jetë në pushtet, dhe cilado qoftë përbërja e tij. Dhe ky vendim, padyshim është është një vendim drejtësie për mua.

RAPORTI PARAPRAK I VENECIAS 2020 PËR VETINGUN

Më 6 mars 2020, Komisioni i Venecias iu dërgoi palëve në Shqipëri një draft-opinion Nr. 978/2020 CDL (2020) 011. Qëllimi i këtij Opinioni është trajtimi i debateve në Shqipëri mes Presidentit dhe Parlamentit për shkarkimin e Presidentit si dhe çështjen e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kushdo që e ka lexuar, e kupton qartë se Presidenti nuk ka nevojë për avokati lidhur me procesin dhe qartazi duket një punë e mirë sqaruese, që duhet të kenë bërë ekspertët e tij në këtë proces. Qëllimi im sot nuk është të merrem me gjithë Raportin e Venecias dhe debatin politik rreth tij, por e vetmja gjë që dua të them është se 6 reporterë të KV nëpërmjet 117 paragrafëve të përmbledhura në 23 faqe në Opinionin e 6 marsit 2020, i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm procesit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, pavarësisht se dikujt i pëlqen dhe dikujt jo.

Qëllimi im primar në këtë shkrim ka lidhje me një këndvështrim tërësisht teknik me procesin e vetingut, për të cilin flet dhe vendimi e mësipërm i Gjykatës së Luksemburgut (SuperGjykata).

Në vitin 2015, Komisioni i Venecias dha dy mendime për projekt-ndryshimet kushtetuese, të cilat, ndër të tjera, vendosën procedurën e vetingut. Në vitin 2016, me kërkesë të Gjykatës Kushtetuese të atëhershme, që ende ishte në funksionim, Komisioni dha një përmbledhje të shkurtër “amicus curiae”. Në këto opinione, Komisioni u shpreh se procesi shumë radikal i vetingut (“vlerësimi i kualifikimit”) i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i krijuar posaçërisht, mund të shihet si i përshtatshëm në kontekstin shqiptar. Sidoqoftë, Komisioni këmbënguli që kjo mund të ishte vetëm një masë e jashtëzakonshme dhe rreptësisht e përkohshme dhe Komisioni bëri disa rekomandime për masat mbrojtëse në këtë proces.

Komisioni thotë se këtë masë (vetingun) nuk do t’ua propozojë vendeve anëtare të KiE.

Në lidhje me këtë Draft-Opinion, Shoqatat e Gjyqtarëve i kanë kërkuar që të mos ndryshohet paragrafi 111. Por çfarë thotë ky paragraf dhe pse është i rëndësishëm?

111. Për të kapërcyer këtë ngërç, Komisioni i Venecias bën rekomandimet e mëposhtme, së pari në lidhje me vetingun:

• Teksa reforma e gjyqësorit dhe procedura e vetingut mbeten prioritet dhe duhet të kenë një përfundim të mirë, duhet rivlerësuar nëse rregullat siç janë zbatuar deri më tani (p.sh., kërkesa për justifikimin e parave të fituara nga personi në fjalë dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij/saj për një periudhë kohe shumë më gjatë sesa ligjet tatimore kërkojnë të ruhen dokumentet) çojnë në zgjidhje të mirë apo nuk lejojnë shumë hapësirë për manipulime politike.

• Për të siguruar të njëjtat standarde të vetingut të kandidatëve të thirrur për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese, vetingu i kandidatëve jashtë gjyqësorit duhet t’i atribuohet Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në vend të KED-së, siç veprohet tani. Etj

Kështu pra;

– Komisioni i Venecias në vitin 2020 arrin në konkluzionin se vetingu paska hapësirë për manipulime politike. Pra, KPK dhe KPA nuk qenkan aq të pavarur nga politika dhe manipulimet. Dhe këtu Komisioni barazon qëndrimin me Gjykatën e BE për Poloninë.

– Konkluzioni tjetër është se shkarkimi i gjyqtarëve e prokurorëve, duke i kërkuar dokumente dhe fatura tatimore tej afateve ligjore që parashikon legjislacioni tatimor (afati është vetëm 5 vjet për çdo qytetar, gjyqtar, pronar biznesi, politikan apo qytetar të thjeshtë) nuk është në përputhje me standardet. Sikur KV të ishte GJEDNJ, pothuajse të gjitha rastet e largimit do të anuloheshin dhe mendoni pastaj kolapsin. Ky fakt është një kriter tejet i rëndësishëm edhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që presin vetingun. Nuk e di nëse truri i “super shkencëtarëve” tanë në KPK do ta pranojnë kriterin e vendosur nga Komisioni i Venecias, por kjo ngelet çështje e interesit të subjekteve të vlerësimit dhe jo e imja.

– Konkluzioni tjetër po aq i rëndësishëm është se procesi i vetingut duhet të jetë koherent (pra, nuk është deri tani) dhe duhet të zbatohen standarde të njëjta. Se gjyqtarët që emërohen nga jashtë sistemit duhet t’i nënshtrohen vetingut njëlloj si ata që vijnë nga brenda sistemit. Se anëtarët e KLGJ e KLP që vijnë nga jashtë sistemit nuk i nënshtrohen vetingut, ndërsa ata që vijnë nga brenda duhet të kalojnë vetingun. Dhe këtu KV, përsëri me të drejtë, kërkon që standardi duhet të jetë i njëjtë dhe jo i dyfishtë. Dhe pyetja që lind është: ka ndonjë që mendon ndryshe? Pra, që disa gjyqtarë apo anëtarë të institucioneve të reja të jenë pa veting, ndërsa disa të tjerë me veting?!!! Kujt i intereson ky standard i dyfishtë në drejtësinë e re? Pse disa me veting e disa jo? Të thuash se kjo është në interes të qytetarëve, të atyre 99 % që kërkonin Reformën në Drejtësi, është ta kesh shkruar në ballë.

Ja pse mendoj se reporterët e KV i kanë bërë një shërbim të madh Reformës në Drejtësi në Shqipëri me këtë Opinion, sepse kanë thënë të vërteta dhe ata askush as nuk mund t’i kontestojë dhe as nuk mund t’i kompleksojë se duan të mbrojnë korrupsionin në Shqipëri apo se nuk duan largimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të korruptuar apo se janë kundër Reformës etj., etj.

Por, për të qenë i vërtetë deri në fund dhe thellësisht teknik, të dyja këto vendime janë provizore. Do duhet të presim vendimin përfundimtar të Gjykatës së Drejtësisë dhe Opinionin final të KV. Dhe pa dyshim, i vetmi që ka efekt juridik të drejtpërdrejtë do të jenë vendime të pritshme të Gjykatës së Strasburgut.

Shqetësimi im real është se nëse edhe Gjykata e Strasburgut do të mendojë njëlloj si Supergjykata e Drejtësisë së BE dhe Komisioni i Venecias, atëherë do të duhet të kthehen gjyqtarët e larguar në detyrë, ndërkohë që institucionet po emërojnë të rinj në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese etj. Dhe këtu vijmë pastaj në skenarin e Serbisë në 2016 dhe kaosi atje nuk është zgjidhur ende. Kush do të qëndrojë në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese apo nivelet e reja, ata që do të kthehen nga Strasburgu, apo ata që po emërohen tani?

E megjithatë, këto ngjarje, që ndoshta lexuesi nuk i ka ditur në kohën e COVID-19, sot fillon sërish nga puna sistemi i drejtësisë, ose së paku kështu besoj unë, dhe ky është një lajm i mirë, me gjithë të këqijat që ka brenda.

/Ora News.tv/