Vetëvendosja e pret me protesta Vuçiç: Non grata në Tiranë

Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë do të presë me protesta presidentin serb Aleksandër Vuçiç, i cili do të mbërrijë në vendin tonë ditën e nesërme për Samitin e minishengenit ballkanik.

Një pankartë ku shkruhet ‘Këtu një kriminel lufte, po vjen të pozojë si bamirës’, është vendosur në Tiranë, në hyrje të Hotel Rogner.

Kreu i Vetëvendosjes në Tiranë, Enes Sulstarova, tha se Vuçiç është i padëshiruar në Tiranë dhe akuzoi kryeministrin Rama se po i shërben pastrimit të figurës së tij përballë ndërkombëtarëve.

Enes Sulstarova: Në Shqipëri po bëhen disa aktivitete në formë bamirësie dhe kjo bamirësi është një shpërlarje që i bëhet figurës së tij si kriminel lufte sepse Vuçiç ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviçit në 1999 kur janë bërë krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve.Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet që janë bërë. Janë 20 mijë gra të përdhunura, mbi 10 mijë civilë të vrarë, nga këta 1000 fëmijë. 

Janë 20 miliardë euro dëme që Serbia i ka shkaktuar Kosovës. Këto borxhe në vend që Serbia t'ia kthejë Kosovës, nesër dhe pasnesër Vuçiç do të udhëtojë nëpër Shqipëri duke u hequr si bamirës, duke u gjendur në këtë periudhë fatkeqësie për kombin shqiptar, duke shfrytëzuar këtë situatë të jashtëzakonshme ai duke marrë rolin e një bamirësi dhe këtë gjë ja lejon kryeministri ynë Edi Rama.

Për këtë arsye ne nesër në 17:30 në lulishten "Qemal Stafa" përballë këtij hoteli do të thërrasim një aksion paqësor protestues për të thënë si qytetarë që Vuçiç është non grata në Shqipëri. Minishengeni është një nismë e dështuar që në nisje.Është një mini-minishengen sepse nga 6 vende vetëm 3 marrin pjesë. Kjo bëhet thjesht për ti lënë mundësi Serbisë për tu shfaqur si aktor paqeje në Ballkan kur Serbia është një aktor konfliktnxitës në Ballkan.

Vuçiç vjen në Tiranë me ftesë të kryeministrit Edi Rama, kjo për shkak se do të mbahet Takimi i Tretë Rajonal i Vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky takim mes Vuçiçit, Ramës dhe kryeministrit maqedonas Zoran Zaev vjen pas dy takimeve të tjera të zhvilluara në Novi Sad dhe Ohër.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim, pasi Bosnja dhe Serbia nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.


EMISIONET