Veliaj tregon si polici bashkiak ia “mblodhi” tre italianëve që hodhën plehrat në park

Veliaj tregon si polici bashkiak ia “mblodhi” tre italianëve

Vendosjen e ligjit dhe zbatimin e rregullave kanë filluar që ta ndjejnë edhe të huajt qe jetojne apo vizitojnë kryeqytetin.

Në një intervistë për emisionin e mëngjesit "Ditë e Re"  në Ora Neës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka rrëfyer një episod ku tre studente italianë, të cilët pasi kishin përfunduar piknikun në kodrat e parkut të madh të Liqenit lanë plehrat në vend.

Veliaj: Ne jemi shumë të hapur ndaj ndryshimeve. Pak me pare ishin tre studentë italianë që pasi mbaruan piknikun, lanë qeset aty. Vajti polici i bashkisë dhe u tha: Më fal se keni harruar plehrat. Ne shqiptarët kur shkojmë në Itali jemi korrektë, italiani kur vjen këtu nuk sillet… pse? Sepse sillet sipas sistemit. Po të jetë sistemi rrumpall sillet si rrumpallë dhe po ka ngelur steriotipi që në Shqipëri ti mund të hedhësh plehrat kudo,  edhe italiani, edhe zviceriani edhe gjermani kështu e bëjnë.

Në momentin që as këtu nuk lejohet, atëherë do të sillet si në Itali, se në Itali nuk do e bënte. Edhe shqiptarët sa mirë që sillemi në perëndim?! Hajde të sillemi si andej. Ai i forti që vjen me targa angleze në verë, në Angli harroje ta bëje këtë se e marrin zgupthi, kurse në Shqipëri e bën. Mesazhi që japim në Tiranë është: Si jashtë shtetit! Ndoshta jo çdo gjë është perfekte se e kemi nisur vonë zhvillimin, por nëse s’e ke bërë atje, mos e bëj as këtu.

Kreu i Bashkisë u ndal edhe në çështjen e rindërtimit të shkollës Kosova, e cila u dogj 15 vjet më parë dhe nga administrata e mëparshme e Bashkisë u planifikua për t’u bërë pallat.

Veliaj: Shkolla "Kosova" për nostalgji ka qenë shkolla ime dhe e shumë të tjerëve. Bërja e një shkolle të mirë, sidomos e asaj shkolle të djegur, për të bërë pallat nga bashkia e kaluar, që e futi në plan për të bërë pallat, ndryshuam planin. Bashkë me ata që e dogjën dhe rregulluan letrat në gjykatë. Edhe reforma në drejtësi ilustrohet në këtë shkollë, edhe çështja e principeve tona për urbanizimin ilustrohet në këtë shkollë. Në një shkollë që është fabula e gjithë zhvillimeve në Shqipëri.

Më në fund pas 15 vitesh betejë e fituam, fitoi e drejta. ShkoLla është e modelit anglosakson, është një shkollë tipike që e shikon në Angli apo në Amerikë. Është punuar nga stafi i bashkisë. Jam ndjerë shumë krenar për çunat dhe gocat e bashkisë se arritëm të prodhojmë një xhevahir të vogël.

Kreu i Bashkisë së Tiranës tha se projekti nuk ndalet me kaq, por së shpejti do të nisë puna edhe për ndërtimin e 17 shkollave të reja.

Veliaj: Plani është që të fillojmë me ndërtimin e 17 shkollave të tjera që do të vijojnë maksimalisht. I kemi ndarë në lote nga 4-5. Me arkitektë të huaj. Pas shkollës “Kosova”, çdo shkollë do të jetë më e mirë. Pra vendosëm një stekë të lartë për çfarë vizioni kemi ne për fëmijët dhe shkollat.

EMISIONET