Në kryeqytet kanë përfunduar punimet për Rrugën “Dhimitër Shuteriqi” në Njësinë 5. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, tha se 30 qershori ishte fillimi me energji i projekteve të reja për Tiranën.

Në Tiranë puna për përmirësimin e infrastrukturës në komunitet do të vijojë pandërprerje edhe përgjatës stinës së nxehtë të verës.

Teksa inspektoi përfundimin e punimeve në Rrugën “Dhimitër Shuteriqi” në Njësinë 5, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se 30 qershori ishte fillimi me energji i projekteve të reja për kryeqytetin.

Veliaj: E vlerësojmë faktin që edhe pse piku i vapës në ditë të verës, i kemi ndenjur punës te koka dhe në fund të fundit, mbajmë premtimin që dhamë. Ndaj, edhe data 30 qershor është vetëm fillimi me energji të reja i punës dhe jo detyrimisht fundi dhe lënia pas dore e punëve. Për ne fushata është ajo çka ndodh 4 vite përditë; përditë një punë konkrete, që mos të dallojë fare ai 30 ditëshi zyrtar i fushatës, nga 1500 ditët e qeverisjes dhe administratës lokale. Puna konkrete sot ishte "Dhimitër Shuteriqi", kështu që ta gëzojmë të gjithë.

Ndërsa deputeti, Pandeli Majko, u shpreh se votat e 30 qershorit janë produkt i punëve transformuese.

Majko: Tani këtu gjërat flasin vetë. Vota flet ndonjëherë gjuhën më të qartë se sa ne të politikës. Zona që i ka dhënë vota më shumë në zgjedhjet e fundit kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak. Ky është reflektim i asaj që ka ndodhur këtu. Ka qenë rrugë fshati, dhe tanimë është bërë “Dhimitër Shuteriqi.

Kreu i Bashkisë ftoi qytetarët që të aplikojnë për “Fondin e Komunitetit”, një nismë që ka dhënë rezultate konkrete në shumë lagje të kryeqytetit, duke rritur cilësinë e jetës së banorëve.

/Ora News.tv/