Vdes manjati i 'perandorisë' Hilton

Pronari i hoteleve 'Hilton' dhe filantropi i njohur Barron Hilton është ndarë nga jeta këtë javë në shtëpinë e tij në Los Angeles.

91-vjeçari vdiq për shkaqe natyrore, konfirmoi Fondacioni Conrad N. Hilton.

Djali i tij, Steven M. Hilton, kryetar i bordit në fondacionin Hilton, tha se familja po vajton për humbjen e një njeriu të shquar.

"Babi im ishte një bashkëshort i mrekullueshëm për nënën tonë, Marilyn, një model për 8 fëmijët e tij, një mik besnik dhe bujar, biznesmen vizionar  e sportist i apasionuar. Ai jetoi një jetë me aventura të mëdha dhe arritje të jashtëzakonshme,"-tha ai.

Ndërkohë mbesa e tij, Paris Hilton u shpreh: "Jam e pikëlluar nga humbja e gjyshit. Ishte një legjendë, vizionar, i shkëlqyer, i pashëm dhe i sjellshëm."

Në vitin 2007, CNN raportoi se Barron Hilton do ti kalonte 1.2 miliardë dollarë nga shitja e Hilton Hotels Corp, jo pasardhësve të tij, por në fondacionin bamirës.

Ai lindi në Dallas më 23 tetor 1927 dhe u transferua me babain e tij Conrad N. Hilton, në Los Angeles në 1937. Atje nisi karrierën duke parkuar makinat e klientëve në hotele. Po më vonë ndërtoi perandorinë e tij të hoteleve.


EMISIONET