Ndërsa presidenti Tayyip Erdogan takoi në Beograd udhëheqës nga Bosnjë Hercegovina dhe Serbia, trupat turke mbërritën pranë kufirit sirian për të filluar inkursionin ushtarak. Ato u pritën me protestat në zonat kufitare. Mijëra vetë dolën në rrugë me parulla: “Jo pushtimit turk.”

Presidenti turk Tayyip Erdogan u takua me udhëheqës nga Bosnjë Hercegovina dhe Serbia në Beograd të martën ku ndodhet për të inauguruar punimet e autostradës që lidh kryeqytetin serb me Sarajevën, në të njëjtën kohë kur trupat turke kanë mbërritur pranë kufirit sirian.

Ankaraja tha se i ka përfunduar përgatitjet për inkursionin ushtarak në verilindje të Sirisë, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara filluan tërheqjen e trupave. Largimi i ushtrisë amerikane do t’i lërë të pambrojtura forcat kurde, aleate të Uashingtonit dhe armike të Turqisë.

Para fillimit të operacionit turk, mijëra vetë u mblodhën për të protestuar në qytezën kufitare Tal Abyad me pankarta në duar ku shkruhej “Jo pushtimit turk.”

''Populli i Sirisë është një. Pushtuesit po i afrohen tokës sonë. Populli ynë qëndron në paqe dhe i lumtur me qeverinë që ka, ne jemi të siguritë këtu nuk kemi nevojë për Turqinë,'' tha një protestues.

 Vendimi i ShBA-së u konsiderua një thikë pas shpine nga kurdët, por presidenti Donald Trump mohoi se Uashingtoni i la të pambrojtur kurdët me tërheqjen e trupave, ndërsa e kërcënoi aleatin e NATO-s, Turqinë me sanksione ekonomike nëse do të thyente besimin e dhënë.

/Ora News.tv/