Ulet rreziku nga përmbytjet, Prençi: Nuk ka rrezik për jetë njerëzish

Ulet rreziku nga përmbytjet, Prençi: Nuk ka rrezik për

Niveli i prurjeve të lumit Vjosë nis të bjerë. Kreu i emergjencave civile Shemsi Prençi për gazetaren e Ora News, Manjola Hasa nënvizon se nuk pritet rritje e nivelit, pasi reshjet tashmë janë reflektuar në lumenj. Po ashtu Prençi thekson se grupet e emergjencës kontaktojnë vazhdimisht me çdo familje që ka qëndruar në banesat që janë në zonat e rrezikut.

Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi jep lajmin  e mirë për zonat e përmbytura. Sipas tij, tashmë niveli i ujit do të nisë të bjerë, pasi prurjet nga reshjet janë reflektuar dhe nuk pritet rritja e nivelit. Kjo pavarësisht se uji tashmë ka kaluar mbi argjinaturat.

Prençi: Situata konsiderohet kritike por nuk ka rrezik për jetë njerëzore pasi evakuimi i njerëzve dhe bagëtive është bërë që një ditë më parë. Ndërkohë që vazhdon evakuimi edhe në këto kushte për ato familje që kanë qëndruar për të ruajtur banesat dhe pasuritë e tyre dhe janë ngjitur në katet e dyta apo të treta të banesave. Prurjet e Vjosës kanë qenë më shumë se në vitin 2015.  

Sa i përket, banorëve që nuk janë evakuuar, Prençi nënvizon se ata tashmë janë në katet e dyta të banesave dhe se nuk ka më rrezik për jetën e tyre. Megjithatë ndihma për ta është e vazhdueshme.

Prençi: Situata do të shkojë drejt përmirësimit pas orës 15:00 sepse niveli i prurjeve është reflektuar tek matjet në zonën e Memaliaj dhe të Tepelenës. Normalisht brenda dy orëve do të reflektohet rënia e nivelit të prurjeve dhe në ultësirën jugperëndimore ose në pjesën e poshtme të lumenjve drejt Deltës.

Në ndihmë të Shqipërisë kanë ardhur dhe trupat nga Kosova.

Prençi: Në mbështetje të strukturave të emergjencave kanë ardhur 6 ekipe të Emergjencave Civile të menaxhimit të emergjencave civile të Kosovës, të cilat po kryejnë operacione të përbashkëta me strukturat e emergjencave civile shqiptare, kryesisht Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës që janë të trajnuara nga programet e BE.

Deri më tani janë rreth 2 mijë të evakuuar në mënyrë vullnetare në zonën e përmbytur nga lumi Vjosë.

EMISIONET