Udhëheqësja e Hong Kongut paralajmëron protestuesit: Mos e shtyni qytetin drejt 'humnerës'

Udhëheqësja e Hong Kongut Carrie Lam ka paralajmëruar protestuesit antiqeveritarë  të mos e shtyjnë qytetin drejt "humnerës", gjatë një konferencë emocionale për shtyp të martën.

Zonja Lam paralajmëroi se Hong Kongu kishte "arritur në një situatë të rrezikshme" dhe se dhuna do ta shtynte atë "në një rrugë pa kthim".

Konferenca u mbajt në kushte jo të zakonshme, me reporterët që bënin pyetje vazhdimisht, bërtisnin dhe e ndërprisnin.

Trazirat masive kanë tronditur qytetin për 10 javë me radhë dhe nuk ka asnjë shenjë për rikthimin në normalitet të situatës.

Protestat nisën për të kundërshtuar një projekt-ligj që lejonte ekstradimin e banorëve të Hong Kongut në Kinë.

Edhe pse qeveria tani e ka pezulluar projektligjin, i cili do të lejonte ekstradimet në territorin e Kinës, demonstruesit duan që ai të tërhiqet plotësisht.

Kërkesat e tyre janë zgjeruar, duke përfshirë thirrjet për më shumë demokraci, dhe dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam.

Me lot në sy, Lam gjatë konferencës për shtyp të martën u bëri thirrje protestuesve të linin mënjanë dallimet e tyre.

"Merrni një minutë të mendoni dhe shikoni në qytetin tonë, shtëpinë tonë, a dëshironi të gjithë ta shihni atë të shtyrë në një humnerë?" tha ajo, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Komentet e saj ishin të ngjashme me ato të një zyrtari nga Zyra Ndërlidhëse Kineze në Hong Kong, i cili tha se qyteti do të rrëshqasë "në një humnerë pa fund nëse krimet e terrorit lejohen të vazhdojnë".

Lam gjithashtu shmangu pyetjen nëse ajo kishte autonomi të tërhiqte plotësisht projekt-ligjin për ekstradim, një kërkesë kryesore e protestuesve, duke thënë se ajo i ishte përgjigjur pyetjes në të kaluarën.

Lam mbrojti veprimet e policisë, duke thënë se ata ishin nën "rrethana jashtëzakonisht të vështira".

Policia e Hong Kongut u përplas të martën me protestuesit antiqeveritar. Policia gjuajti gaz lotsjellës në të gjithë Hong Kongun, duke përfshirë një stacion hekurudhor të mbyllur.

Në rrethin Wan Chai, bomba benzine dhe tulla u hodhën mbi policinë nga ana e protestuesve.

Një numër protestuesish, përfshirë një polic, u plagosën gjatë përleshjeve.

Policia gjithashtu u filmua duke shkrepur plumba gome në një distancë të afërt brenda një stacioni të metros, ndërsa oficerët e tjerë u panë duke rrahur njerëz me shkopinj në shkallët lëvizëse.

EMISIONET