U vra për gërvishtjen e makinës, familjarët e Altin Balliut: Prokuroria po liron autorin

U vra për gërvishtjen e makinës, familjarët e Altin Balliut:

Gjykata e Korçës zhvilloi sot seancën paraprake për Olger Mustafaj, i dyshuar si autor i vrasjes së Altin Balliut.

Të afërmit e viktimës të indinjuar akuzojnë prokurorinë se po kërkon të nxjerrë të pafajshëm autorin.

"Prokuroria kërkon ta nxjerrë autorin të pafajshëm. Nuk ka drejtësi. Jane në favor të të pandehurit. Të bëjnë drejtësi sepse u vra vëllai im" akuzoi motra e viktimës.

Vrasja ndodhi në janar të këtij viti në lagjen 10 të qytetit juglindor. Sherri që përfundoi me plumba nisi pasi 30-vjeçari Balliu i ka gërvishtur makinën e parkuar autorit të dyshuar.

Fillimisht ata janë konfliktuar verbalisht dhe fizikisht në një lokal në prani edhe të personave të tjerë që shoqëronin 30-vjeçarin nga Pogradeci.

Mustafaj është larguar fillimisht nga lokali ka marrë një pistoletë dhe e ka sulmuar Balliun në një kohë kur ai po shkonte i vetëm drejt makinës.

Ai ka marrë një goditje në kokë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Olger Mustafaj, autori i dyshuar, rezulton person me precedentë penale të mëparshme për vrasje dhe plagosje te rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Në vitin 2010 ai tentoi të vrasë me kallashnikov Majkëll Hysollin dhe u dënua për plagosje të rëndë me dashje.

Ndërsa në vitin 2013 u rikthye sërish në vëmendjen e drejtësisë pasi u konfliktua në burgun e Drenovës me Aurel Nazifajn.

Altin Balliu jetonte në fshatin Slabinjë të Pogradecit dhe merrej me hapjen e puseve të ujit, siç tregon edhe në profilin në rrjetet sociale.

EMISIONET