Jahmir Hyka ka lënë ëndrrën amerikane për të nisur një aventurë të re në Izrael.

Mesfushori me tipare sulmuese pas dy sezone në MLS me skuadrën e San Jose vendosi të transferohej në Izrael te Maccabi Netanya. Një ekip pa shumë histori por që këtë vit synon të bëj mirë, me objektivin pjesëmarrjen në Kupat e Evropës.

Titullin e fundit e ka fituar në sezonin e largët 1992-1993 dhe në sezonin 2017-2018 është kthyer në elitën e futbollit izraelit. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në "Facebook" klubi i Maccabi bën të ditur se ka arritur marrëveshjen me 30 vjeçarin por nuk ka detaje rreth kontratës që ka firmosur me ta. Këtë sezon, Hyka u aktivizua në 19 ndeshje me San Jose, prej të cilave 11 si titullarë. Ndërsa shënoi edhe 3 gola.

Kujtojmë që Hyka zhvilloi disa ditë stërvitje me skuadrën ku dhe është formuar dhe promovuar në elitën e futbollit, Tiranën, por duket se rikthimi i tij në Superligën shqiptare është ende herët të konkretizohet.

/Ora News.tv/