U arrestua se kërkoi favore seksuale, pedagogu i Elbasanit përfundon në spital

U arrestua se kërkoi favore seksuale, pedagogu i Elbasanit përfundon

Pak orë pas arrestimit nga policia e Elbasanit, pedagogu i Universitetit të Elbasanit, Denis Himçi, ka përfunduar në spital për shkak të gjendjes shëndetësore.

Burime për Ora News bëjnë me dije se ai është shtruar që mbrëmjen e së mërkurës, 18 shtator, në një spital në Tiranë.

Pedagogu mësohet se ka pasur tension të lartë dhe po kryen vizitat përkatëse.

36-vjeçari, pedagog pranë Fakultetit Ekonomik, u ndalua nga policia me akuzën se ka kërkuar favore seksuale nga një studente në këmbim të notës kaluese në provim.

Ai akuzohet për veprat penale "Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm " dhe "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Rektorati i Universitetit të Elbasanit ndërkohë në një reagim njoftoi pezullimin nga detyra të pedagogut Denis Himçi deri në zbardhjen e plotë të çështjes ndërsa shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë.

Universiteti i Elbasanit shpreh qëndrimin e tij zyrtar se disa distancohet ndaj çdo sjellje të ulët dhe të padenjë që cenon figurën e personelit akademik dhe imazhin e këtij institucioni të arsmit të lartë.

Nga ana tjetër fenomeni i kërkimit të favoreve seksuale nga studentët duket se ka një përhapje të gjerë në vend.

Sipas një publikimi të kohëve të fundit nga Komiteti Shqiptar I Helsinkit, një në katër studentë ka pranuar se ka pasur kërkesa për favore seksuale.

EMISIONET