Tensione para gjykatës, akuza e fyerje për përplasjen e 19-vjeçarit me policinë

Tensione para gjykatës, akuza e fyerje për përplasjen e

Përfundoi me tensione, akuza e fyerje, seanca  për tre të rinjtë e arrestuar në Pogradec për kundërshtim të policisë. Nëna e të akuzuarit kryesor tha  djali po mbahet padrejtësisht në burg teksa denoncon se janë dhunuar në shtëpinë e tyre.

Gjykata e Pogradecit la në burg 19-vjeçarin, Firdeus Berberi, të akuzuar se kundërshtoi me dhunë policinë ndërsa kishte thyer karantinën.

Seanca për rivlerësimin e sigurisë u shoqërua me tensione dhe vendimi u prit ashpër nga familjarët e të riut.

Ata shpërthyen në fyerje e akuza ndaj efektiveve të policisë.

Nëna e të riut deklaroi se i biri nuk kishte faj, ndërsa akuzoi policinë për tejkalim të kompetencave.

"Thirri policia, njëri ka qenë civil është hapur dera dhe djali i ka thënë çfarë kërkoni. Ka thënë jo po bëni zhurmë. Djali i ka thënë nuk do të bëjmë më. Personi civil e ka shtyrë dhe ka bërë foto. Djali i ka thënë nuk ke të drejtë të bësh foto në shtëpinë time.Në atë moment kam hyrë unë. Ai nuk është lokal, është shtëpi. Mund të vini ta verifikoni. E nxora djalin për tu ngjitur lart, kam qenë te dera bashkë me policët e tjera dhe kam mbyllur derën. 

Në atë moment polici civil ka hyrë nga krahu tjetër, policia te dera para, ndërsa ai pas. Ai ka shqyer derën, ka goditur djalin. Djali ja ka kthyer. Ka shenja edhe djali, edhe unë. Na kanë tërhequr zvarrë policia deri afër degës. Edhe unë kam shenja në trup, jam dhunuar nga personi civil.Duhet të mbrohem nga shteti, por nuk e di nga cili shtet".

Daja i tij kërkon drejtësi për nipin, në të kundërt paralajmëron vetëgjyqësi me policin.

"Inspektorë të qelbur. Ta zgjidhim çështjen privatisht me personin dhe shteti të largohet. Ai është shtyrë nga dikush tjetër që e ka bërë këtë. Ka dëme në shtëpi, janë thyer xhama".

Gjykata ndërkohë liroi dy të rinjtë e tjerë të arrestuar bashkë me 19- vjeçarin me masë më të lehtë sigurie.


EMISIONET