Turqia godet 181 objektiva "terroristë" kurdë në Siri, SHBA e painformuar

Turqia godet 181 objektiva "terroristë" kurdë në Siri,

SHBA-ja nuk ka qenë e informuar për ofensivën që Turqia ndërmori ndaj rebelëve kurdë në Siri një ditë më parë. Ankaraja informon se ka goditur 181 objektiva terroristë afër kufirit të vet jugor, të cilat raportohet se kanë lënë disa viktima mes civilëve dhe luftëtarëve.

Ofensiva nga ajri dhe toka që Turqia nisi të mërkurën ndaj rebelëve kurdë në veri të Sirisë ka lënë të vrarë brenda pak orëve 5 civilë dhe 3 luftëtarë kurdë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdohan, i cili po komandon operacionin e titulluar "Pranvera e Paqes", tha se qëllimi i sulmeve është parandalimi i një "korridori terrori" në kufirin jugor të vendit.

Mësymja turke megjithatë duket se ka gjetur të papërgatitur palën amerikane, edhe pse këtë javë vendosi vetë të tërhiqej nga rajoni.

Kryediplomati i Uashingtonit, Majk Pompeo, deklaroi se operacioni nuk ishte koordinuar me qeverinë e tij.

"Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë asnjë dritë jeshile. Ne do vijojmë të bëjmë atë që nevojitet për të ruajtur popullin amerikan nga kërcënimet terroriste, si edhe të pozicionojmë strategjikisht resurset tona," u shpreh ministri i Jashtëm.

Ndërkaq, eprori i tij, presidenti Donald Trump, kritikoi sulmin me artileri ndaj popullsisë kurde dhe paralajmëroi Ankaranë me masa ekonomike shkatërruese nëse bilanci i luftës rritet rrezikshëm.

Rebelët kurdë ndërkohë kanë dërguar 14 mijë pjesëtarë për t'iu kundërpërgjigjur ofensivës turke.

Ankaraja pretendon të krijojë një zonë sigurie rreth 30 kilometra në brendësi të Sirisë për të strehuar mbi 3,6 milionë refugjatë sirianë që jetojnë aktualisht në vend.

Turqia gjithashtu është ngarkuar me strehimin e luftëtarëve të ISIS të kapur në luftë vitet e fundit.

Ndërkaq komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar të tregohet kujdes për shkak se operacioni turk mund të ringjallë kërcënimin xhihadist në rajon.

EMISIONET