Trump pret sot gjeneralin e Phenianit, merr një letër nga Kim Jong-un

Trump pret sot gjeneralin e Phenianit, merr një letër nga Kim Jong-un

Presidenti Donald Trump do të presë sot në Shtëpinë e Bardhë një delegacion koreano-verior. Në këtë vizitë të rrallë, kreu i përfaqësisë nga Peniani do t’i dorëzojë Trump një letër nga udhëheqësi koreano-verior Kim Jong-un, që shton shpresat se samiti mes dy liderëve do të zhvillohet ashtu siç është planifikuar.

Në një vizitë të rrallë në Shtëpinë e Bardhë, krahu i djathtë i udhëheqësit koreano-verior do t’i dorëzojë presidentit amerikan një letër nga vetë Kim Jong-un.

Gjenerali Kim Yong-chol do të jetë në krye të delegacionit që do të takohet me Donald Trump këtë të premte, me shpresën për të kthyer në rrugën e duhur samitin e shumëpritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

Është ende e paqartë nëse Trump do ta presë delegacionin në Zyrën Ovale, pasi detajet e këtij takimi janë ende në përpunim.

Megjithatë, vizita si dhe letra nga Kim Jong-un shihen si sinjale pozitive për realizimin e samitit mes dy udhëheqësve.

Trump ka shprehur dëshirën për t’u takuar me udhëheqësin koreano-verior në Singapor në 12 qershor, për t’i kërkuar atij të heqë dorë nga armët bërthamore.

Megjithatë, në një intervistë për agjensinë e lajmeve Reuters, presidenti amerikan pranoi se diçka e tillë mund të kërkojë më shumë raunde negociatash të drejtpërdrejta.

Kujtojmë se përpara kësaj vizite në Shtëpinë e Bardhë, gjenerali Kim Yong-chol u takua edhe me sekretarin e shtetit Mike Pompeo.

Ky i fundit deklaroi se parapërgatitjet për samitin po ecin në drejtimin e duhur, por pranoi se ka ende shumë punë për të bërë.


EMISIONET