Trump: Nuk do të ketë ndihma për palestinezët nëse nuk arrijnë paqe me Izraelin

Trump: Nuk do të ketë ndihma për palestinezët nëse nuk

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar gjatë ditës së sotme se do të ndalojë ndihmat për palestinezët nëse ata nuk arrijnë paqe me Izraelin, duke thënë se ata kanë refuzuar Shtetet e Bashkuara duke mos e takuar nënpresidentin amerikan, Mike Pence gjatë vizitës së këtij të fundit, transmeton Reuters.

Trump, ka thënë se ka qëllim krijimin e paqes në Lindje të Mesme, pasi është takuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Formin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Palestinezët kanë shmangur vizitën e Pence në këtë rajon, pas vendimit të presidentit Trump për ta njohur Jerusalemin, kryeqytet të Izraelit dhe për bartjen e ambasadës amerikane në këtë qytet.

Statusi i Jerusalemit është çështja kyçe e konfliktit izraelito-palestinez.

Vendimi i muajit të kaluar të Trumpit për Jerusalemin është përcjellur me kundërshtime në gjithë botën.

“Ata nuk na respektuan një javë më parë, duke mos lejuar nënpresidentin tonë t’i vizitoj ata dhe ne japim qindra miliona dollarë në ndihmë dhe mbështetje, shifra që askush nuk i kupton, ato para janë në tavolinë dhe ato para nuk do t’iu shkojnë nëse ata nuk ulen dhe negociojnë paqen”, ka thënë Trump.

Uashingtoni ka njoftuar më parë se do të mbajë gjysmën e ndihmës së planifikuar paraprakisht për t’i dhënë agjencisë së Kombeve të Bashkuara e cila u shërben palestinezëve.

Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas e ka cilësuar deklaratën e Trumpit për Jerusalemin “shuplakë në fytyrë” dhe ka kundërshtuar Uashingtonin si ndërmjetësues në bisedimet eventuale për paqe me Izraelin.

Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen.

Trump ka thënë se palestinezët duhet të vijnë në tavolinën e negociatave.

“Sepse mund t’iu them se Izraeli dëshiron të ketë paqe dhe ata do duhet të duan të njëjtën gjë poashtu, ose ne nuk do të kemi të bëjmë asgjë më me ata”, ka shtuar Trump.

Presidenti amerikan, po ashtu ka thënë se administrata e tij ka pasur një propozim për paqe, i cili ka qenë “propozim shumë i mirë për palestinezët” dhe mbulon “shumë gjëra të cilat janë diskutuar për vite”, pa përmendur diçka specifike./REL

EMISIONET