Trump njofton lirimin nga Pheniani të tre amerikanëve të burgosur

Trump njofton lirimin nga Pheniani të tre amerikanëve të burgosur

Presidenti Donald Trump njoftoi se tre amerikanët e burgosur në Korenë e Veriut janë liruar dhe po kthehen në Shtetet e Bashkuara, shoqëruar nga sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante se "të tre gëzojnë shëndet të mirë". Ai tha gjithashtu se ka në plan t’i presë ata kur të mbërrijnë në atdhe.

Lajmi për lirimin e tyre pason një vizitë në Korenë e Veriut të sekretarit të Shtetit Mike Pompeo, i cili ndodhej atje për të përgatitur takimin e ardhshëm mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Dy prej tre koreano-amerikanëve Tony Kim dhe Kim Hak Song po jepnin mësim në universitetin për Shkencën dhe Teknologjinë në Phenian kur u arrestuan. Ata u ndanë veçmas në vitin 2017 dhe u akuzuan për pjesëmarrje në aktivitetet anti-shtetërore si dhe përpjekje për përmbysje të qeverisë.

I burgosuri i tretë, Kim Dong Chul, u arrestua në një zone në verilindje të Koresë së Veriut në tetor të vitit 2015. Ai u dënua me 10 vjet punë të rëndë në burg në vitin 2016 i akuzuar për spiunazh.

Vizita më e fundit e zotit Pompeo në Korenë e Veriut vjen disa javë pas një tjetër takimi që ai zhvilloi në muajin prill me udhëheqësin e Phenianit Kim Jong Un, kur mbante ende detyrën e drejtorit të CIA-s./VOA/

EMISIONET