Me një letër të pazakontë, presidenti amerikan Donald Trump ka qortuar homologun turk Rexhep Taip Erdoan për luftimet e përgjakshme që po zhvillon kundër kurdëve në veri të Sirisë. Trump e kërcënon kryeshtetarin e Turqisë se veprimet trime dhe të marra do i kushtojnë shtrenjtë Ankarasë.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar të marrë ofensivën ushtarake që homologu Rexhep Taip Erdoan po ndërmerr prej një jave ndaj kurdëve në Siri.

Në një letër që daton më 9 tetor, duke hequr dorashkat diplomatike, Trump i bëri të ditura Erdoanit rezervat e tij me inkursionin e përgjakshëm turk.

"I dashur zoti president. Nuk ke pse të mbash përgjegjësi për masakrimin e mijëra njerëzve, e as unë nuk dua të jem përgjegjës për shkatërrimin e ekonomisë turke. Historia do ju gjykojë për mirë nëse e zgjidhni konfliktin në mënyrën e duhur dhe humane. Mos u bëj trim. Mos u bëj i marrë," lexohet në letrën e firmosur nga Trump.

Letra fillimisht u vu në dyshim dhe u mendua si shaka për shkak të stilit të pazakontë të një dokumenti zyrtar, por Shtëpia e Bardhë e konfirmoi vërtetësinë.

Kundërshtarët politikë të Trampit e dënuan tonin e saj, ndërsa vetë Kongresi miratoi një rezolutë kundër kreut të zyrës ovale për tërheqjen e trupave nga Siria.

Presidenti Erdoan të mërkurën premtoi se operacioni "Burimi i Paqes" do vazhdojë deri në neutralizimin e terroristit të fundit kurd në veri të Sirisë.

Beteja dypalëshe deri tani u ka marrë jetën 70 civilëve të pafajshëm dhe mbi 670 luftëtarëve kurdë.

Zëvendëspresidenti Majk Pens dhe kryediplomati amerikan Majk Pompeo vizitojnë të enjten Ankaranë për të diskutuar shtensionimin e situatës.

/Ora News.tv/