Tropoja epos dhe personalitete, Meta ngre në piedestal Azem Hajdarin dhe Berishën

Presidenti, Ilir Meta, ka vlerësuar rolin e Tropojës për lirinë dhe pavarësinë, indentitetin dhe dinjitetin kombëtar të vendit.

Meta: Tropoja përbën një epos plot histori dhe personalitete që i kanë dhënë shumë kombit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë, për indentitetin dhe dinjitetin kombëtar, për politikën dhe diplomacinë, për arsimin dhe shkencën, për artin dhe kulturën.

Mbarë populli shqiptar i është mirënjohës popullit të Tropojës për atë çfarë i ka dhënë kombit. Ky vend është libër i një historie të madhe. Ky popull ka nxjerrë trima të pafund, mendimtarë të rrallë, politikanë të shquar, diplomatë të mprehtë, oratorë të zjarrtë, filozofë popullorë, rapsodë, gurrë të pashuar, artistë me famë.

Në çdo event të rëndësishëm të popullit dhe të kombit shqiptar është prania, kontributi dhe protagonizmi i tropojanëve.

Kjo, sepse tropojanët kanë qenë gjithmonë të shqetësuar për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve. Tropojanët u gjenden dhe kontribuan në Lidhjen e Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Lidhjen e Junikut, në Kuvendin e Vlorës, në Konferencën e Bujanit e në çdo ngjarje.

Do të duhej një kohë e gjatë për të përmendur emrat e tyre me kontribute të paharruara për çështjen kombëtare si Haxhi Zeka, Bajram Curri, Binak Alija, Mic Sokoli Dervish Luzha, e shumë të tjerë.

Tropoja priu lëvizjen për rrëzimin e diktaturës

Kreu i Shtetit theksoi veçanërisht rolin e personaliteteve të rrethit të vogël verior në demokracinë e vendit, duke nënvizuar se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike, Azem Hajdari dhe Sali Berisha, ishin nga Tropoja.

Meta: Pesha që Tropoja dhe tropojanët kanë mbajtur në kapërcimin e jashtëzakonshëm nga diktatura në demokraci është e rrallë. Jam sot këtu për t’u përkulur me respekt e mirënjohje të veçantë ndaj veprës së Azem Hajdarit, udhëheqësit të ‘Lëvizjes Studentore’. Nuk duhet të harrojmë se dy udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Demokratike si Azem Hajdari, ashtu edhe Sali Berisha ishin nga Tropoja. Po jo vetëm ata, edhe shumë të rinj të tjerë, edhe shumë personalitete të tjera, intelektualë si Besnik Mustafaj e shumë të tjerë, ishin pikërisht nga Tropoja.

Pa Sali Berishën nuk do të kishte Rrugë Kombi

Meta vlerësoi rolin e Berishës edhe për një nga veprat më strategjike në Shqipëri, Rrugën e Kombit.

Meta: Nuk duhet të harrojmë se pa vendimmarrjen dhe vendosmërinë e Sali Berishës edhe sot, Rruga e Kombit nga Tirana në Prishtinë mund të mos ishte bërë dhe shqiptarët do të vazhdonin të udhëtonin drejt njëri-tjetrit përmes Maqedonisë.

Meta tha se Tropoja ka qenë dhe vazhdon të mbetet një krahinë me rëndësi strategjike mbarëshqiptare dhe fqinjësore.

Meta: Tropoja ka qenë dhe mbetet një krahinë me rëndësi të veçantë strategjike midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithçka e lidh Tropojën me Kosovën, asgjë nuk e ndan prej saj.

Të mbrojmë me çdo kusht ekosistemin e Bjeshkëve nga politikat e ditës

Presidenti nuk anashkaloi edhe debatin e madh rreth ndërtimit të HEC-eve në Valbonë.

Meta: Këto Bjeshkë, dikur të quajtura të ‘Nëmura’ duhet të punojmë që të quhen ‘Të bekuara’. Të ruajmë si sytë natyrën e Bjeshkëve, pyjet, kullotat, florën dhe faunën, ujrat, përrejtë dhe lumejtë. Ekosistemi i Bjeshkëve të Veriut është një nga pasuritë më të mëdha natyrore e turistike të popullit shqiptar.

Këtë ekosistem duhet ta ruajmë me çdo mjet nga projektet e nxituara, të pamenduara, të shtyra nga politikat ditore po edhe interesat e çastit. Tropoja është një trevë e jashtëzakonshme thesari kulturor kombëtar. Zoti e bekoftë këtë vend të mrekullueshëm dhe popullin e mrekullueshëm të Tropojës.

Presidenti i Republikës vlerësoi disa personalitete të spikatura të artit, kulturës dhe gazetarisë, të zonës së Tropojës, zotin Islam Lauka; zotin Ndue Smail Ukcamaj, zotin Skënder Zeqir Dezhlani, Murat Ali Hajdarin (pas vdekjes), zotin Skënder Ram Haklaj si dhe Xhevahire Elez Gashin (pas vdekjes).

EMISIONET