Marrëdhëniet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës vijojnë të mbeten në nivele shumë të ulëta.Ministri për Zhvillimin Ekonomik në Kosovë deklaron se pavarësisht nismave, përsëri ka një sërë pengesash në aspektin e procedurave apo çertifikatave.Ndërkohë mosvënia në punë e interkonjeksionit edhe pse ka 5 vite që ka përfunduar, ka sjellë miliona euro dëme.

Tregtia mes Kosovës dhe Shqipërisë vijon të mbetet në nivele të dobëta.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës thotë se të dy vendet kanë dështuar në këtë drejtim në gjetjen e zgjidhjeve.

Valdrin Lluka: Absolutisht nuk është në nivel të kënaqshëm, mund të them është në nivel dëshpërues për arsye se ne vazhdojmë ta kemi importuesin kryesor, kryesisht sa i takon ushqimit, Serbinë. Nga ana tjetër në Shqipëri vazhdon të jetë Greqia dhe Italia. Këto për ne janë të papranueshme, të dy vendet kemi dështuar me gjithë potencialin që e kemi jashtëzakonisht të mirë.

Lluka deklaron se ende mes dy vendeve ka probleme me njohjen e çertifikatave.

Valdrin Lluka: Nuk ka sens dy vendet tona të mos i njohim njëra-tjetrës, pra një çertifikatë e lëshuar nga Agjensioni Veterinar dhe i Ushqimit të Kosovës të mos njihet automatikisht në Shqipëri. Pse ka nevojë një kamion me qumësht që vjen nga Kosova në Shqipëri, pse duhet ta marrë edhe çertifikatën e Shqipërisë?

Pavarësisht ankesave në institucionet ndërkombëtare, interkonjeksioni midis dy vendeve nuk është funksional.

Valdrin Lluka: 25 milionë euro janë dëme direkt financiare që kalkulohen, por janë edhe disa miliona euro shtesë, të cilat nuk e lejojnë implementimin e marrëveshjes së interkonjeksionit me Shqipërinë, që do të kishte përfitime jashtëzakonisht të mëdha për tregun energjitik të dy vendeve.

Ministri Ekonomik i Kosovës pret që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje edhe në lidhje me tarifat Roaming midis dy vendeve.

/Ora News.tv/