Vonesat në reformën në drejtësi kanë ardhur si pasojë e procedurave të gjata të vettingut dhe refuzimit të propozimeve të opozitës gjatë miratimit të ligjeve.  Eduard Halimi thekson se reforma është e domosdoshme për pastrimin e sistemit, por thekson se duhet fillimit të kalojnë në sitë emrat që do të jenë pjesë e SPAK dhe Byrosë së Hetimit, në mënyrë që të ndihen dhe efektet.

Reforma në drejtësi do të kishte ecur nëse do të ishin dëgjuar kërkesat e opozitës dhe nëse në institucionet e reja të vettingut apo edhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë të Gjyqësorit do të ishin zgjedhur profesionistët dhe jo kandidatë rastësor të  caktuar nga shorti me gogla.

Ky është mendimi i ish-ministrit të Drejtësisë dhe një nga ekspertët e reformës në drejtësi, Eduard Halimi, tre vite pasi  nisjes së implementimit të kësaj reforme.

Eduard Halimi: Nëqoftëse ata do të ishin një trupë vizionare, profesionale, që nuk janë. Kanë qenë juristë bashkish dhe ujësjellësash. Nëse do të kishim një Komision të Pavarur të Kualifikimit profesionist atëherë fokusi kryesor do të ishte ndërtimi i Gjykatës së SPAK-ut dhe Prokurorisë së SPAK-ut, gjë që jemi akoma shumë larg.

Për Halimin, zgjidhja e ngërçit të krijuar në institucione, si plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të lartë, është ende larg dhe kjo e gjitha rëndon mbi qytetarët dhe biznesin.  

Eduard Halimi: Dhe sikur Gjykata e Lartë të krijohej me shpejtësi maksimale, që nuk ka shans të krijohet para fundit të vitit. Në fund të vitit do të jenë rreth 60 mijë dosje dhe 19 gjyqtarëve sikur gjykata të krijohet në fund të vitit do tu duheshin 7-8 vjet të evakuonin dosjet që janë, ndërkohë që sisgurisht gjykatat e tjera do të vazhdojnë të gjykojnë dhe vendimet do të vazhdojnë të transpozohen në Gjykatën e Lartë.

Ish-nënkryetari i Komisionit të Ligjeve shfaq rezera edhe në lidhje me vendimet e dy institucioneve të reja KLGJ dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat sipas tij po kryejnë emërime në krye të institucioneve të personave pa kryer asnjë lloj konkursi.

Eduard Halimi: Emërohet prokurori i Kurbinit, i Fierit, Lushnjes, apo prokurori i Korçës pa asnjë lloj konkurimi. Nga u nis Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të përzgjedhur këtë prokuror?

Po me problematike në këtë situatë Halimi sheh mosngritjen e  Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Eduard Halimi: Ka zero mundësi dhe zero rrugë ligjore që një gjyqtar të Shkallës së Parë apo Shkallës së Apelit ta ndëshkosh apo ta çosh për procedim disiplinor për faktin se nuk është krijuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Pavarësisht problematikës, ish-ministri i Drejtësisë thotë se reforma në drejtësi ishte një domosdoshmeri për pastrimin e sistemit por mënyra e zbatimit të saj ka bërë që të krijohet kjo situatë si në asnjë vend tjetër ku jemi pa Gjykatë të Lartë dhe pa Kushtetuese, ndërsa sheh si zgjidhje konsensusin politik.  




/Ora News.tv/