Tre vite në çadër, familja Rama me 5 anëtarë në Gramsh në varfëri ekstreme

Tre vite në çadër, familja Rama me 5 anëtarë në

Në Shëmrizë të Gramshit jeton familja Rama me 5 anëtarë. Jeta për ta ka qenë shumë e vështirë, për shkak të varfërisë dhe problemeve shëndetësore. Sikur kjo të mos mjaftonte, prej 3 vitesh janë dhe pa çati mbi kokë.

Fiqerete Rama së bashku me 3 fëmijët e saj, ka 3 vite që jeton në këtë çadër.

Ata erdhën në Shëmrizë të Gramshit për një jetë më të mirë, por jeta u solli të papritura.

Shtëpia iu shemb para syve për shkak të amortizimit, teksa varfëria u ul këmbëkryq.

"Binte shi i paparë, ka qenë 26 maj. Ra krahu poshtë, kisha bërë një kërkesë para se të shembej."

Sikur pamundësia ekonomike të mos mjaftonte, u shfaqën dhe problemet shëndetësore.

"Vuaj nga hernia diskale, përdor kosë ose bel se në fshat. Në maj nuk ngrihem dot. Nuk marr dot edhe ilaçet, marr ato të depresionit. Bashkëshorti harron shumë, nuk kam mundësi ta vizitoj."

Gramshi ende nuk është prekur nga Covid 19, por Fiqeretja i ka ndjerë në lëkurë efektet e virusit.

"Të voglin e kam në Greqi, ka mbetur atje. E marr në telefon dhe e pyes: A ke bukë të hash o bir?"

E bija, 13-vjeçare ka mbetur pas me mësime, pasi ajo nuk ka as internet dhe as televizor.

"Për mësim asgjë."

Kërkesa e saj është vetëm 1 dhe minimale.

"Një dhomë dua për atë gocë."

Fondacioni Fundjavë Ndryshe iu gjend pranë familjes Rama përmes ndihmave ushqimore, për ti lehtësuar sadopak në këto ditë të vështira për të gjithë.

EMISIONET