Policia italiane ka ekzekutuar sot një operacion antidrogë të koduar "Turizmi i madh",  i cili ka çuar në shkatërrimin e një bande trafikantësh italo-shqiptare.

Në pranga janë vënë 6 persona, 5 italianë e 1 shqiptar si dhe janë shpallur në kërkim ndërkombëtar 3 shqiptarë të tjerë.

Shqiptari i arrestuar është Armando Ndoja banues në provincën e Milanos dhe i konsideruar korrieri i besuar i drogës i kësaj bande kriminale.

Droga e tipit kokainë e heroinë trafikohej në territoret e ishullit të Sardenjës, në rajonin e Kalabrisë dhe në Lombardi.

Në krye të kësaj bande qëndronin dy vëllezërit nga Sardenja Luca Arzu e Pino Arzu.

Hetimet e këtij operacioni kanë nisur 3 vite më parë nga Prokuroria e Cagliarit e investigatorët italianë kanë zbardhur se për 7 muaj kjo bandë ka trafikuar drogë me vlerë nga 5 deri në 7 milionë euro.

Policia italiane i ka quajtur "peshq të mëdhenj" të drogës 6 trafikantët e arrestuar. Për të komunikuar mes tyre ata përdornin një gjuhë të kriptuar e telefona celularë me një përdorim.

Operacioni "Turizmi i madh" ka mundur të çoj në sekuestrimin e vetëm 5 kg kokainë e heroinë nga 25 kg drogë e dokumentuar nga investiguesit italianë në 5 ngarkesa të ndryshme.

/Ora News.tv/