Dy muaj pas shpalljes së emergjencës së fatkeqësisë natyrore guvernatori Gent Sejko ka kërkuar prej bankave të mbështesin ekonominë me likuiditete. Në takimin e zhvilluar dhe me përfaqësinë e bizneseve, ai e vuri theksin te niveli i depozitave dhe qëndrueshmëria financiare.

Gent Sejko: Sipas raportimeve të deritanishme, nga kjo lehtësi kanë përfituar mbi 20,000 biznese, të cilat kanë kredi, pranë bankave, që llogariten mbi nivelin e dy miliardë eurove.  Klientët në vështirësi të përkohshme financiare, por me modele të qëndrueshme biznesi, duhet të mbështeten me likuiditet dhe lehtësi të përkohshme operacionale. Klientët në vështirësi më serioze mund të ndihmohen nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën një ristrukturimi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiva afatgjatë e biznesit mbetet solide.

Nga ana e tij Kreu i Shoqatës së Bankave e ka vënë theksin te domosdoshmëria e rishikimit të gjithë kredive të ngrira.

"Prandaj dhe neve do të na duhet kohë për të riskeduluar kreditë e marra qoftë nga individët, qoftë nga bizneset. Të paktën të bëjmë që instrumentet që ne disponojmë të funksionojnë në mënyrë perfektë, të kemi më shumë mirëkuptim dhe të jemi më të qartë për biznesin."

Ndërsa Kryetarja e Dhomës së Tregtisë dhe industrisë vuri theksin te rëndësia e mbështetjes financiare duke tërhequr vëmendjen se ndërhyrja e qeverisë në këto dy muaj ka qenë e vonuar.

Ines Muçostepa: "Numri total i vendeve të punës që janë mbyllur dhe akoma është një numër që duhet të azhornohet është mbi 60 mijë. Pjesa më e madhe e bizneseve të mëdha kanë deklaruar se mund të përballojnë pagesën e pagave edhe për dy muaj të tjerë nëse kjo situatë do të vazhdojë me këto ritme. Dy paktet e hartuara nga qeveria për mbështetjen e ekonomisë kanë patur në fokus garantimin e mbijetesës së shtresave në nevojë dhe biznesin e vogël. Pra mund të themi që të dyja paketat kanë patur më shumë një dimension social sesa vetë biznesit. Në fakt biznesi i ka konsideruar këto dy ndërhyrje si masa të vonuara. 

Në muajin mars u vu re një ulje e depozitave në euro me rreth 50 milionë euro, por nga ana tjetër dhe një rritje e depozitave në lekë. Banka e Shqipërisë parashikon që tremujori i dytë të jetë më I vështiri për shkak të pandemisë.

Ekonomia përballë COVID-19, Sejko prezanton 5 sfidat e biznesit dhe sektorit bankar

/Ora News.tv/