Thaçi e Vuçiç tërhiqen nga ideja e shkëmbimit të territoreve

Thaçi e Vuçiç tërhiqen nga ideja e shkëmbimit

Brenda një dite presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç lëshuan deklarata të ngjashme për shkëmbimin e territoreve. Thaçi deklaroi se kjo çështje nuk është diskutuar asnjëherë, ndërsa Vuçiç kërkon që zgjidhja të shihet mbi kompromisin ekonomik. 

Presidentët e Kosovës dhe Serbisë lëshuan deklarata të ngjashme brenda një dite në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve. Së pari kreu i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se shkëmbimi i territoreve nuk është diskutuar asnjëherë dhe nuk ka qenë në axhendën e bisedimeve me Beogradin.

Megjithatë ai shtoi se shpreson që një ditë, Preshava, Medvegja dhe Bujanovci do t’i bashkohen Kosovës.

Më vonë të premten, presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk kurseu kritikat ndaj vendeve europiane. Kreu serb tha se europianët shohin vetëm interesat e tyre në lidhje me dialogun Beograd - Prishtinë.

Vuçiçi shkoi në një linjë me Thaçin kur mohoi ndonjë bisedim për shkëmbim territori.

"Çdo zgjidhje në Ballkan duhet të bazohet mbi kompromisin, dhe fitoret duhen parë në këndvështrimin ekonomik dhe jo në shkëmbimin e territoreve,” tha Vuçiç. 

Pa përmendur emra, Vuçiç u tha gazetarëve se "vendet europiane diskutojnë në lidhje me dialogun Beograd - Prishtinë dhe më pas më të fuqishmit thonë ç’të duan vetëm për të mbrojtur interesat e tyre pavarësisht se çfarë mendojnë serbët dhe shqiptarët për çështjen e Kosovës."

"Asnjë nuk më ka thënë deri më sot për shkëmbimin e 17 fshatrave serbe në me Preshevën, Bujanovacin dhe Medvedja," tha Vuçiç, duke shtuar se për herë të parë një gjë të tillë e ka dëgjuar në media.

Ai shtoi se nuk ka ndonjë problem për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pa shkëmbim territori.

EMISIONET