Nëntë shtetas shqiptarë, pronarë dhe administratorë të 8 sipërmarrjeve me aktivitet në sektorin e kantiereve detare në Venezia, janë vënë nën hetim me urdhër të  Prokurorisë së Venezias nën akuzën e shfrytëzimit të krahut të punës, korrupsionit e mashtrimit fiskal.

Hetimi ndaj tyre është pjesë e një mega hetimi të Financës italiane ndaj kompanisë publike italiane "Fincantiere s.p.a", e cila është një nga shoqëritë më të rëndësishme që operojnë në kantieret detare në Evropë dhe në botë.

Për llogari të kësaj kompanie sipërmarrjet e shqiptarëve si palë e tretë, angazhoheshin për realizimin e punimeve në kantiere detare, ndërtimin e anijeve, duke mos respektuar kontratat e punës ndaj punonjësve, kohëzgjatjen e orëve të punës, numrin e punëtorëve të deklaruar, pagat e tyre si dhe duke mashtruar faturat fiskale.

Në këtë mega hetim të shtrirë në rajonet Venetos, Friulit, Venezias, Giulias, Sicilisë, Marche, Campania dhe Puglia janë përfshirë gjithsej 19 shoqëri, 34 persona  e 12 funksionarë të lartë të kompanisë publike "Fincantiere s.p.a".

Ora News ka mundur të siguroj numrin e saktë të sipërmarrjeve shqiptare e të shtetasve shqiptarë të përfshirë në këtë hetim.

Kolonel Gianluca Campana informon se mes 34 personave të vënë nën hetim janë 9 shtetas shqiptarë të gjithë banues në Venezia, pronarë ose administrues të 8 sipërmarrjeve që operojnë në territorin e Venecias.

Për financën italiane ka prova të forta kundër tyre për shfrytëzim sistematik të punës së punëtorëve, shumica e të cilëve shtetas të huaj, shqiptarë e bengalezë që punonin për ndërtimin e anijeve të mëdha kroçere në kantieret detare të "Fincantiere s.p.a" në Maghera.

Në kuadër të këtij operacioni është vënë nën arrest shtëpiak dhe një shtetas bengalez të cilit i janë sekuestruar dhe 200 mijë euro.

Gjatë operacionit të sotëm autoritetet financiare italiane kanë kryer 80 kontrolle  në selitë e sipërmarrjeve e në kantieret detare.

/Ora News.tv/