Në Vlorë u regjistrua një rast i ri me koronavirus nga një ditë më parë duke e çuar në 5 numrin e të infektuarve.

Bëhet fjalë për një grua të moshuar 70 vjeçare nga fshati Poro i Vlorës.

Ajo është zbuluar dje në mëngjes si e infektuar dhe është nisur në mbrëmje drejt Tiranës.

Gazetari i Ora News në Vlorë, Edi Ruçi, raporton se e moshuara ishte kthyer me 8 mars nga Lombardia, Itali, së bashku me bashkëshortin me tragetin e linjës Vlorë-Brindisi.

"Jetonte vetëm me bashkëshortin në Poro. Është vetëizoluar sapo ka ardhur nga Italia. Ka shfaqur dje simptoma. Ka shkuar urgjenca dhe e ka marrë në fshatin Poro dhe e kanë nisur drejt Tiranës. Nuk është fare në spitalin e Vlorës".

Nga bluzat e bardha thuhet se ajo i ishte nënshtruar një testi për COVID 19 dhe kishte dalë negative ndërsa simptomat e sëmundjes i kishte shfaqur gjatë ditëve të fundit.

Edhe burri i saj ka bërë testin për COVID 19 dhe ka dalë negativ.

Ndërkohë sot është bërë dhe dezinfektimi i banesës së tyre.

/Ora News.tv/