Tërmeti i 28 janarit thellon dëmet në pallatet në Kombinat

Tërmeti i 28 janarit thellon dëmet në pallatet në Kombinat

Kombinati ka përjetuar sërish të martën në mbrëmje tmerrin e 26 nëntorit. Për dhjetra familje që jetojnë ende në pallatet e dëmtuara që më parë, tërmeti i fundit ka shkaktuar frikë dhe panik, teksa kanë parë që muret e shtëpive të tyre të çahen edhe më shumë. Ata deklarojnë se u ka munguar ndihma nga institucionet shtetërore dhe se nuk kanë mundësi të përballojnë qiratë e larta të shtëpive në Tiranë.  

Ky pallat është shpallur i pabanueshëm nga tërmeti i 26 nëntorit, por banorë vijojnë të qëndrojnë brenda.

Ata thonë se pamundësia ekonomike, i bën që të vënë në rrezik kokën çdo ditë, ndërsa shprehen se nuk kanë marrë bonusin e qirasë.

"Keni marrë bonus qiraje?"

"Unë personalisht jo, por di që e ka marrë dikush".

Edhe në rastet kur bonusi i qerasë u është akorduar, thonë se e kanë të pamundur të gjejnë një tjetër banesë për shkak të rritjes së çmimit të qirave.

"Kemi pritur gati 2 muaj e gjysmë dhe hera e parë që ka dalë është bonusi prej 220 mijë lekësh të vjetra. Nuk e di se çfarë mund të bësh me këto lekë".

"Është bërë tepër e vështirë në këtë kohë kur të gjithë njerëzit po lëvizin në kërkim të një shtëpie me qira".

Por sikur të mos mjaftonin problemet e mbartuara nga tërmeti i nëntorit, lëkudjet e djeshme e kanë vështirësuar edhe më shumë gjendjen, jo vetëm emocionale por edhe atë të banesave ku ata jetojnë ende.

"Ka pasur krisje të vazhdueshme sidomos kati i dytë dhe i tretë. Kati i parë më pak".

"Ato plasaritjet që kanë qenë i ka hapur më shumë".

Vetëm në këtë pallat, jetojnë 9 familje, që rrezikojnë jetën duke qëndruar në një pallat që vlerësohet si i dëmtuar rëndë.

EMISIONET