Tensionet tregtare, Zv/kryeministri kinez, këtë javë në Uashington për bisedime

Tensionet tregtare, Zv/kryeministri kinez, këtë javë në

Pas kërcënimit të presidentit Donald Trump për të përshkallëzuar luftën tregtare me Kinën, ka ardhur edhe reagimi i Pekinit. Ministria kineze e Tregtisë njoftoi se në negociatat që zhvillohen këtë javë në Uashington do të marrë pjesë edhe vetë i besuari i presidentit Shi Xhinping. FMN dhe shtete të ndryshme kanë apeluar dy fuqitë e mëdha të gjejnë pika takimi dhe të shmangin tensionet e mëtejshme.

Shtetet e Bashkuara dhe Kina pritet të qartësojnë së shpejti rezultatet e bisedimeve dypalëshe që vijojnë prej muajsh.

Ministria kineze e Tregtisë ka njoftuar se zëvendëskryeministri i vendit, Liu He, do i bashkohet tryezës së negociatave të nivelit të lartë që mbahen të enjten dhe të premten në Uashington.

Vizita e një prej këshilltarëve dhe njerëzve më të bësuar të presidentit kinez, Shi Xhinping, vjen pak ditë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, kërcënoi me rikthimin e tarifave miliarda dollarëshe kundrejt Pekinit.

Trump tha se pala kineze ka nisur të mos i përmbahet zotimeve të vjetra, ndaj duke nisur nga e premtja mbi disa importe kineze me vlerë 200 miliardë dollarë do të aplikohet një tarifë 15 për qind më e lartë, duke u rritur në 25 për qind.

Ndërkaq ministri i financave, Stiven Menuçin, është shprehur optimist për përfshirjen e qeveritarit kinez Liu He në bisedimet e fundit.

Ai shtoi të hënën se çdo propozim i hedhur në tryezë do i përcillet presidentit Trump përpara se tarifat e reja të hyjnë në fuqi.

Deri tani, SHBA-ja ka imponuar tarifa të larta mbi 250 miliardë dollarë produkte kineze me arsyetimin se vendi aziatik zbaton praktika të padrejta tregtare.

Pekini është përgjigjur në të njëjtën mënyrë, duke e akuzuar kundërshtarin se ka nisur një nga luftërat tregtare më të mëdha në histori.

Të martën, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe kryefinancieri francez apeluan dy fuqitë ekonomike të mos përshkallëzojnë më tej tensionet, pasi çdo vendim i tyre do të ndikojë në ekonominë botërore.

EMISIONET