Patos, gardiani i burgut vret për motrën dy kushërinjtë

Një vrasje e dyfishtë tronditi Patosin këtë të enjte.
Dy të rinj u qëlluan për vdekje me armë zjarri brenda poliklinikës së Patosit pas një sherri me autorin, që pas krimit u vu në prangat e policisë.
Viktima mbetën Elis Kapaj dhe Manol Rrapaj, përkatësisht 22 dhe 26 vjeç, me lidhje gjaku me njëri tjetrin.
Autori i masakrës brenda institucionit shëndetësor është 22 vjeçari Martin Skëndaj, polic i grupit të shoqërimit në Burgun e Fierit.
Sipas të dhënave të para motivi i krimit të rëndë është një konflikt mes autorit dhe fqinjit Manol Rrapaj, për një lidhje intime që ky i fundit kishte me motrën e tij.
Sherri kishte nisur prej disa ditësh në fshatin Kuqar, ku familjet jetojnë ballë për ballë.
Mesditën e së enjtes, ata janë gjendur përballë në poliklinikën e Patosit.
Aty janë konfliktuar sërish.
Sherri nisi brenda ambienteve me fjalë dhe përshkallëzoi në derë të poliklinikës me goditje pistolete.
22 vjeçari Kapaj ndërroi jetë në vend, ndërsa 26 vjeçari Rrapaj fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital.
Martin Skëndaj, sipas policisë tentoi të largohet nga vendngjarja, por u kap në rrugë bashkë me armën e më të cilën vrau dy të rinjtë.
Disa orë pas krimit, në fshatin Kuqar, situata ishte e tensionuar
Forca policie ishin vendosur mes dy familjeve për shmangur thellimin e tragjedisë. Ndërsa fqinjët kanë mbetur të shokuar nga lajmi.
“Është për të ardhur keq për të dyja familjet”
Ndërkohë tre ditë më parë, Manol Rrapaj, kishte bërë një kallëzim në Policinë e Fierit ku akuzonte 22 vjeçarin që i mori jetën dhe të atin e tij për kanosje, pasi e akuzonin për ngacmimin e motrës.