Negociatat, të pafuqishëm përballë Francës

Negociatat, të pafuqishëm përballë Francës

Edhe pse çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të jetë pjesë e diskutimeve të liderve të Bashkimit Europian, për shkak të Presidentit Francez Shqipëria pritet të marrë sërish një përgjigje negative për hapjen e negociatave. Por ndryshe nga Kryeministri Rama, ish-ministri i jashtëm socialist Ditmir Bushati paralajmëron qeverinë shqiptare që të jetë më e përgjegjshme pasi situata me BE do të bëhet edhe më e vështirë.

Falë mbështetjes së Kancelares gjermane Angela Merkel dhe lobimit te krerët e vendeve të tjera të unionit çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut diskutohet nga krerët e shteteve të Bashkimit Europian.

26 vende janë të gatshme për t’i hapur negociatat me Shqipërinë, por brenda BE-së ka edhe vende si Franca e Holanda që janë skeptikë për mënyrën se si shkon procesi i zgjerimit dhe për këtë arsye me shumë mundësi të premten do të japin votën kundër vendit tonë.

Madje kryeministri Rama ka tentuar të diskutojë në Bruksel dhe në ditën e fundit me shpresën për tymin e bardhë.

Rama: Përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi.

Por siç thotë ish-ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, si vendet kandidate, ashtu edhe vetë BE-ja gjithmonë do të kenë më shumë punë dhe pengesa në procesin e integrimit.

Bushati: A do jetë gati BE për të mirëpritur një vend në gjirin e saj? BE kurrë s'ka për të qenë aq gati, por edhe një vend nuk është kurrë 100% gati për tu anëtarësuar.

Bushati paralajmëron qeverinë shqiptare se në këtë kontekst hapja e negociatave do të jetë gjithmonë e më e vështirë dhe për këtë arsye duhet të ketë më shumë punë dhe reflektim nga palët.

Bushati: Ne nuk duhet të jemi emocional, zvogëlimi i derës së BE, edhe për çështje që nuk kanë lidhje për ne duhet të na bëjnë dyfish më të përgjegjshëm.

Vendet e Vishegradit ripërsëriten thirrjen e tyre ndaj BE që t’i hapen negociatat dy shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Çështja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po vendos balanca të tjera në BE, pasi Franca me pozicionin e saj kundër hapjes së negociatave kërkon që të përfitojë sa më shumë nga interesat ekonomike si dhe forcimin e pozicionit të këtij shteti përballë Gjermanisë.

EMISIONET