Nga libri ORIGJINAT E PASURISE,PRONES,PUSHTETIT në Shqipërinë pas-totalitare, që hedh në qarkullim këtë vjeshtë PAPIRUS

Nga llogaritë e përafërta rezulton, nga statistikat zyrtare, se megjithë veprimin e faktorëve zbutës, mbeten ende së paku nja rreth 2 miliardë euro, ose më tepër, që i duhen ekonomisë dhe gjithë shoqërisë për të funksionuar në shkëmbimet tregtare me jashtë.

Nuk janë pak.

Pothuajse sa gjysma e buxhetit të shtetit për një vit. Buxhet publik që vetë ai ka mbledhur një borxh që është rreth 3 herë më i madh sesa buxheti mesatar vjetor publik aktual. Pra, një defiçit tregtar që mund të llogaritet sa 1/8 deri te 1/5 e Produktit të Brendshëm Bruto.

Sigurisht këto shifra mund të kundërshtohen duke u nisur nga përllogaritje me baza të tjera të dhënash, sepse këtu janë përdorur të dhëna që në një pjesë të madhe i quan të mirëqëna edhe vetë shërbimi i sttatistikave zyrtare. Mirëpo, këtu nuk duhet çvendosur problemi. Nuk është fjala te saktësia e statistikave dhe e përllogaritjeve edhe nëse bëhet fjalë për dhjetra milionë euro. Sepse prirjet janë atje, më pak ose edhe më shumë të theksuara, më pak ose më shumë të rrezikshme dhe të hidhura.

Ajo që dihet është se :

kemi një buxhet publik që rrëmben një “llokmë” të madhe të produktit të brendshëm bruto,

se kemi një defiçit të madh tregtar si vend,

dhe se vetë buxheti publik ka një borxh të frikshëm.

Nisur këtej, për ta shëndoshur ekonominë dhe shoqërinë shqiptare ka nevojë për reforma të thella, të cilat me ose pa dashje nuk mund të kryhen pa “shtrënguar” rripin dhe pa zbrazur edhe më tej portofolin e konsumatorit, duke pranuar edhe ndofta 75% ulje të mëtejshme të nivelit të jetesës, dhe për më tepër kërkohet një konsensus kombëtar për strategjinë e ekonomisë kombëtare që duhet të shtrihet për rreth 30 vjet.

Sipas ritmeve të përllogaritura në këtë kuadër, pra që sikur reforma të shkojë sot duhet të mbërrijë në finishin e vet në gjysmën e shekullit ku jetojmë.

Pa menduar për objektivat e vitit 2050, pa një konsensus kombëtar tridhjetvjeçar, pa një “shtrëngim rripi”, pa reforma të thella që do të na kërkojnë të ndryshojmë mënyrën e jetesës, metodat e administrimit të bizneseve, politikat buxhetore, metodat e vendim-marrjeve politike, mediat, organet e drejtësisë, shkollën, edukatën, reklamat, marrëdhënien midis zonave rurale dhe urbane, është e pamundur të dilet nga kriza. Kemi humbur dekada në rrugë të gabuar.

Përndryshe vazhdojmë të quajmë suksese ndërtimin e banesave dhjetrakatëshe, të shëmtuara që shkatërrojnë realitetin urban, boshatisin zonën urbane, prodhojnë stres dhe papunësi!

Kjo është llogaria!

/Ora News.tv/