Të mbijetuarit e masakrës në Florida, presion ndaj ligjbërësve për kontrollin e armëve

Të mbijetuarit e masakrës në Florida, presion ndaj

Studentët e mbijetuar nga masakra në një shkollë në Florida do të përfshihen aktivisht në debatin për kontrollin e armëve, me kërkesën që ligjbërësit të marrin më shumë masa lidhur me këtë çështje. Ndërkaq, presidenti Donald Trump ka hedhur hapin e parë, duke urdhëruar ndalimin e shitjes së “armëve të modifikuara”.

Vrasja e 17 personave në një shkollë të mesme në Florida ka rihapur debatin për kontrollin e armëve në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja ka nxitur për herë të parë edhe përfshirjen aktive të studentëve në këtë debat, teksa të mbijetuarit e masakrës në fjalë kanë paralajmëruar protesta e marshime, që ligjbërësit të marrin masa e të hartojnë rregulla të reja për përdorimin e armëve.

Ngjarja e rëndë e regjistruar në gjimnazin Marjory Stoneman Douglas një javë më parë, ka nxitur edhe krijimin e lëvizjes sociale me emrin “Kurrë Më”. Iniciativa ka tërhequr mbështetje edhe nga personazhe të famshme në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë dhuruar qindra mijëra dollarë për të ndihmuar me financimin e një marshimi për kontrollin e armëve në Uashington, në 24 mars.

Nën presion për të marrë masa, presidenti Donald Trump urdhëroi një ditë më parë Departamentin e Drejtësisë, të hartojë rregulla të reja të cilat do të ndalojnë “pajisjet për modifikimin e armëve”. Urdhri vjen si përgjigje disi e vonuar ndaj masakrës në një koncert në Las Vegas vitin e kaluar, ku agresori Stephen Paddock vrau 58 persona dhe plagosi mëse 500 të tjerë me një pushkë gjysmë-automatike e cila ishte modifikuar të funksiononte si armë tërësisht automatike.


EMISIONET