"Të fitojë më i miri!" Reagimet e krerëve të partive pas caktimit të datës së zgjedhjeve

"Të fitojë më i miri!" Reagimet e krerëve të

Forcat politike në Maqedoninë e Veriut u dakordësuan për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 12 prill të 2020 pas përgjigjes negative të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me 18 tetor.

Vendimi u mor në mbledhjen e thirrur nga Kreu i Shtetit, Stevo Pendarovski. Ja reagimet e drejtuesve të partive parlamentare pas diskutimeve në rezidencën presidenciale “Villa Vodno” në Shkup.

Zaev: Më 12 prill 2020 do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare

“Propozimi jonë ishte që 22 ose 29 dhjetor të shkojmë në zgjedhje sepse në atë mënyrë në atë periudhë mund ta realizojmë procesin zgjedhor dhe më pas të presim edhe ratifikimin e protokollit nga na e Spanjë dhe ne të kemi parlament funksional. Kishte reagime nga opozita se nuk mund të ketë 100 ditë qeveri teknike, andaj pastaj u shqyrtua, marsi, prilli, e kështu me radhë dhe me konsensus u vendos që 12 prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet”, deklaroi kryeministri dhe  kryetari i Lidhjes Social Demokrate.

Mickoski: Së shpejti do të kemi qeveri teknike, ndërsa më 12 prill edhe fitues të ri të zgjedhjeve

“Nuk ka alternativ tjetër përveç integrimit në NATO dhe BE. Ky ishte konstatim unanim i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim sa i përket mos-marrjes së datës për fillim të negociatave. Ndërkohë në pjesën e dytë ku u diskutua për zgjedhjet e parakohshme ramë dakord që 12 prilli të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për ne ishte shumë e rëndësishme që të marrim datë për zgjedhje të parakohshme. Kemi realitet të ri, do të kemi qeveri teknike dhe më 12 prill do të kemi fitues të ri të zgjedhjeve”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së.

Ahmeti: Zgjedhjet me 12 prill, le të fitoj më i miri

“Mund të them se ky është takimet më konstruktive që kam pasur deri më tani, të gjitha partitë politike thanë se alternative e jonë e vetme është Beshkimi Evropian. Kemi biseduar se për vendin tonë është me rëndësi që të bëhet ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësim në NATO nga të gjitha vendet që akoma nuk e kanë ratifikuar. Gjithashtu pas ratifikimit edhe Parlamenti jonë të ratifikon si dhe të miratohet Ligji për Mbrojtjen, dhe deri sa u shterën gjitha argumentet vendosem bashkaarisht që 12 prilli të mbahen zgjedhjet. Me rëndësi është që zgjedhjet të jenë të pranueshme dhe demokratike, të lira sipas gjitha standardeve. Le të fitojë më i miri” deklaroi kryetari i  Bashkimit Demokratik për Integrim.

Zijadin Sela: Shkojmë në zgjedhje, na priftë e mbara

“Ne ishim të vetmit që e zbukuruam këtë takim sepse ishim prezent bashkë më një zonjë. Ajo që tanimë është konfirmuar, më 12 prill shkojmë në zgjedhje, ne si parti ishim të gatshëm, por 12 prilli u zgjodh për arsye se deri atëherë presim anëtarësimin e vendit në NATO. Qytetarët më 12 prill kanë shans që ta kthejnë shpresën tek të rinjtë, të cilët kohëve të fundit po braktisin shtetin në pamundësi që të prosperojnë këtu” deklaroi kryetari i Aleancës për Shqiptarët.

Thaçi: Për fat të keq s'mund të kemi regjistrim dhe zgjedhje

"Ne u pajtuam që më 12 prill që të kemi zgjedhje të parakohshme, megjithëse propozimi fillestar ishte dhjetori dhe së bashku u pajtuam që më 12 prill të kemi zgjedhje.  Për fat të keq nuk mund të kemi regjistrim dhe zgjedhje në të njëjtën kohë "tha kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare.

Bilal Kasami: Ishte takim i suksesshëm, u soll vendim i duhur

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar zgjedhje të parakohshëm dhe me këtë vendim është moment i rëndësishëm që qytetarët të tregojnë orientimin e mëtejshëm. Në asnjë moment nuk duhet të vihet në pikëpyetje procesi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ne duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, që më pas në Samitin e radhës të marrim edhe datën për negociata” deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa.

Gashi: 12 prilli, vendim i rëndësishëm për shtetin

“Të gjithë u dakorduam se Maqedonia nuk duhet të heq dorë nga procesi euro-integrues. Derisa Evropa t’i sqaroj punët e brendshme, ne duhet të vazhdojmë Evropën ta sjellim këtu dhe të vazhdojmë me reformat e posaçërisht ato në fushën e gjyqësorit. Ndërkohë u dakorduam që 12 prilli të jetë dita e zgjedhjeve që do të paraqes një kthesë të madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë” deklaroi kryetari i Partisë Alternatia.



EMISIONET