Me vare,  Inspektoriati i Ndërtimit zbarkoi mëngjesin e sotëm (21 gusht 2019) në Porto Palermo për të shembur restorantin "Panorma" në pronësi të Mihal Kokëdhimës, i cili 6 ditë më parë sulmoi disa turistë spanjollë.

Në ndihmë të tyre shkoi dhe policia.  Sipas IKMT restoranti në një sipërfaqe prej 2 mijë metra katror në një nga zonat më të bukura bregdetare ishte i ndërtuar pa leje. 

"Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin “Panorma” në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë.  Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit", thuhet në njoftimin e sotëm të IKMT. 

Jo vetëm kaq, Kokëdhima kishte arritur të merrte në shfrytëzim dhe pjesën e plazhit.

Aksioni për prishjen e tij vijoi për disa orë dhe nuk u kundërshtua nga familjarët.

Po kush është Mihal Kokëdhima

Mihal Kokëdhima, pronar i një lokali në Porto Palermo të Himarës, u bë i njohur 6 ditë më parë kur u mësua se kishte keqtrajtuar një grup turistësh.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë për turizmin shqiptar, sipas raportimeve ishte refuzimi që familja spanjolle i bëri shërbimit të keq.

Pesë turistët dhe dy shoqëruesit shqiptarë u larguan nga lokali, por sipas policisë u ndoqën dhe u dhunuan nga pronari i biznesit që i kishte ndjekur më pas. Më e dëmtuar mbeti një prej anëtarëve të familjes që kishte mbërritur me jaht në Sarandë.  

Më pas u publikua një video ku Kokedhima mbi kofanon e malkinës vijon të dogasë me telefon dhe grushta xhamin e parë ndërsa makina nuk ndalon. E gjitha per nje rrugë prej 3 km. 



Mihal Kokëdhima ndodhet në burg

Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 55 vjeçarin. Ndaj tij rëndojnë akuzat për shkatërrim të pronës, dëmtim me dashje si dhe kanosje.

Kokëdhima i mohoi akuzat duke thënë se ishin turistët spanjollë ata të cilët i rrezikuan jetën dhe e morrën zvarrë me makinë për afro 3 km.

Mihal Kokëdhima dy herë i shpetoi burgut

Pronari i restorantit në Porto Palermo ku ndodhi incidenti me familjen e turistëve spanjollë, Mihal Kokëdhima, është dënuar dy herë nga drejtësia shqiptare por asnjëherë nuk përfundoi në qeli.

Në vitin 2015 ai është proceduar për vjedhje të energjisë elektrike, por në fund të procesit gjykata vendosi pezullimin e dënimit me tre muaj heqje lirie dhe lënien e të pandehurit në liri me kusht për 18 muaj.

Një vit më pas ky vendim u  shua nga Gjykata e Apelit Vlorë në zbatim të ligjit për amnistinë të miratuar nga parlamenti.

Vendimi tjetër i dhënë nga gjykata ndaj Mihal Kokëdhimës lidhej pikërisht me restorantin ku ndodhi incidenti me turistët spanjollë.

Në vendim thuhet se Mihal Kokëdhima administronte lokalin pa norma në vendin e quajtur Porto Palermo në Himarë.

Publikimi i videos së dhunës u pasua dhe me denoncime të tjera të turistëve që denoncuan Mihal Kokëdhimën për agresivitetin, mungesën e etikës dhe çmimet e larta.

Ndërkohë IKMT do vijojë punën në të gjithë vijën bregdetare.   



/Ora News.tv/