Një sulm i militantëve në bursën më të madhe të Pakistanit ka përfunduar me vrasjen e të 4 autorëve por edhe disa rojave e këmbësorëve të rastit.

Një sulm i armatosur në bursën e Pakistanit la të hënën të paktën 10 veta të vrarë.

Sipas medieve vendëse, ngjarja u regjistrua rreth orës 10 të paradites në qytetin jugor të Karaçit.

Katër autorë të pajisur me granata dhe uniforma policie mësynë në portën e jashtme nëpërmjet parkingut duke qëlluar më pas pa dallim me armë automatike ndaj rojave dhe personave që qëndronin jashtë institucionit financiar.

Policia njoftoi se nga shkëmbimi i zjarrit u ekzekutuan katër të dyshuarit dhe vijoi për disa orë operacioni i krehjes së zonës për elementë të tjerë kriminalë.

Mes viktimave rezultuan edhe katër rojat e sigurisë, 1 polic dhe 1 këmbësor që ndodhej pranë godinës, ndërkohë që disa persona morën plagë nga armët.

Sulmi me natyrë terroriste ndodhi në qendrën financiare të vendit ku operojnë selitë e disa bankave private.

Pavarësisht situatës, drejtuesi i institucionit financiar vendosi të mos e ndërpresë aktivitetet.

Në ambientet e bursës më të madhe dhe të vjetër të Pakistanit punojnë rreth 3 mijë persona.

Autorët mësohet se ishin përgatitur për vrasje në masë dhe që të qëndronin gjatë në kontroll të godinës pasi mbanin sasi të mëdha municioni dhe ushqime në çantat e shpinës.

Sulmi i së hënës nuk u mor përsipër menjëherë nga asnjë grup militant që vepron në vend.

Aktet terroriste në Pakistan janë rralluar vitet e fundit por organizatat kriminale islamike, grupimet etnike dhe separatiste mbeten një faktor destabilizues me konfliktet e tyre për pushtet territorial.

2-15934239973-1593424001

/Ora News.tv/