Sulmi terrorist në Nju Jork, Trump flet për ndryshim të ligjit të emigracionit

Sulmi terrorist në Nju Jork, Trump flet për ndryshim të ligjit

Reforma në emigracion e propozuar nga presidenti Donald Trump mund të kishte shmangur sulmin e ndodhur në Nju Jork një ditë më parë, ku i dyshuar është një emigrant nga Bangladeshi. Autori është identifikuar si Akajed Ullah dhe sipas mediave amerikane, motivi pas këtij sulmi ishte hakmarrja në emër të grupit terrorist të Shtetit Islamik.

Sulmi terrorist që tronditi Nju Jorkun një ditë më parë thekson sipas presidentit Donald Trump, nevojën për të miratuar legjislacionin për reformën në emigracion.

Përmes sekretares për shtyp Sarah Sanders, Shtëpia e Bardhë deklaroi se autori i dyshuar për sulmin ka hyrë në Shtetet e Bashkuara duke përfituar nga politika amerikane e njohur si “emigracioni zinxhir”.

Sipas kreut të Uashingtonit, kjo politikë është “e papërshtatshme me sigurinë kombëtare”.

27-vjeçari Akayed Ullah, një emigrant nga Bangladeshi, shkaktoi panik në Nju Jork një ditë më parë, teksa shpërtheu një bombë artizanale pranë një terminali autobusësh në Manhatan.

Sipas mediave amerikane, ai raportohet të ketë rrëfyer për hetuesit se sulmi ishte kryer në emër të grupit terrorist të Shtetit Islamik, për t’u hakmarrë për myslimanët e vrarë nëpër botë.

Raportohet se i dyshuari 27-vjeçar ka mësuar si të krijojë një pajisje shpërthyese përmes udhëzimeve online dhe ka konsumuar propagandë terroriste.

Sulmi i një dite më parë shkaktoi katër të plagosur së bashku me të dyshuarin, ndërkohë që sipas autoriteteve, besohet se Akayed Ullah ka vepruar i vetëm.

Policia e Nju Jorkut po kontrollon tashmë shtëpinë e të dyshuarit në Bruklin, vendi ku mendohet se 27-vjeçari ka kompozuar bombën artizanale të përdorur për sulmin.

EMISIONET